Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se nuk ka pasur vullnet nga ana e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, për ta takuar atë në Hagë, atje ku ajo ishte në vizitë javën e kaluar.
Haxhiu thotë se dallimet politike me Thaçin e Veselin vazhdojnë t’i kenë, por se për to do të flasin, vetëm pas rikthimit të tyre në Kosovë.
“Nuk kemi ndonjë shpjegim. Ne kemi bërë kërkesë sepse konsideroj që si Ministre e drejtësisë kam për obligim që të bëjë kërkesa që t’i vizitojë të gjithë. Mendoj që një mosvullnet në anën tjetër është i paarsyeshëm edhe konsideroj që në rrethana të tilla nuk e kuptoj si të tillë. Mirëpo është në vullnetin e tyre, nuk mund ta vizitosh askënd në një institucion korrektues, apo të paraburgimit në këtë rast, në qoftë se nuk ka vullnet nga pala tjetër. Ne kemi treguar interesin tonë si institucione. Mendoj se mund të refuzosh të takosh një individ mirëpo kur bëhet fjalë për institucionet është më ndryshe. Mirëpo ne jemi të gatshëm sa herë që ata kanë nevojë që të na presin, ne të jemi. I mbetet atyre që kur të kthehen në Kosovë që t’i tregojnë arsyet se pse s’na kanë pritur. Konsideroj se nuk ka qenë e arsyeshme”, tha Haxhiu për RTK’në.
Haxhiu kujtoi se Lëvizja Vetëvendosje ishte ajo që e kundërshtoi themelimin e Speciales.
“Unë mendoj se falje duhet të kërkojnë ata të cilët ja kanë krijuar këtë Republikës së Kosovës, sepse siç e dini, në kohën kur ka pasur tendenca që të krijohet një gjykatë e tillë, ne kemi thënë se alternativa e kësaj është që të fuqizojmë institucionet tona. Ne kemi thënë se një gjykatë e tillë tenton të shtrembërëojë të vërtetën për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo siç e dini pretendimet tona politike e juridike nuk kryenin punë. Ka pasur një trysni dhe një ndryshe të duarve mbi deputetët e Kuvendit për të bërë një Gjykatë të tillë. Unë dhe VV e kemi kokën lart në raport me qëndrimin që e kemi pasur ndaj kësaj Gjykate, mirëpo fatkeqësisht Specialen e kemi fakt të kryer”, shtoi Haxhiu.
Haxhiu tha se mospajtimet politike me Thaçin e Veselin vazhdojnë.
“Ato probleme të pasluftës, sepse sa i përket luftës unë besoj që ka një unifikim në Republikën e Kosovës, në shoqëri. Ne pajtohemi se UÇK’ja ka bërë luftë të drejtë për Çlirim. Ato qëndrojnë dhe kur të kthehen i vazhdojnë qëndrimet dhe diskutimet. Arsyet nuk mund t’i dijë as nuk mund t’i paragjykoj, me thënë të drejtën as s’po mendoj se pse nuk kanë pranuar institucionet, është në vullnetin e tyre dhe le ta bëjnë publik ata qëndrimin kurdo ata që e bëjnë”, tha Haxhiu.
Ministren Haxhiu, kanë refuzuar ta takojnë ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.