Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka konfirmuar shkarkimin e deputetes Blerta Deliu-Kodra nga pozita e anëtares së Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Ajo është shkarkuar nga ky post me katër vota për e dy abstenime nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Haxhiu në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, tha se shkarkimi i deputetes Deliu-Kodra nga pozita e anëtares së komisionit, erdhi pas raportimit të saj se është paguar pa shkuar fare në mbledhje të komisionit.
Ajo shtoi se përveç Deliu-Kodrës, ka edhe anëtarë tjerë për të cilët ka raporte që janë paguar pa marrë pjesë në mbledhje të komisionit.
“Po ka edhe anëtarë të tjerë, tash sigurisht që ne i kemi emrat do t’i ofrojmë qasje mediave, juve në dokumente publike. Tashmë kemi filluar procedurat edhe për zyrtarët përgjegjës të cilët kanë bërë pagesa të paligjshme dhe kthimin e mjeteve”, tha ajo.