Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një intervistë për Telegrafi.com, ka folur për gjendjen në të cilën e ka gjetur ministrinë, për procesin e noterëve dhe Vettingut si dhe për prioritetet e sfidat tjera që e presin ministrinë që ajo e drejton.
Haxhiu ka thënë se aktualisht është duke e rishikuar secilin dokument në të cilin kanë punuar udhëheqësia e kaluar. Ajo ka thënë se Ministrinë e Drejtësisë e presin shumë sfida.
Duke folur për procesin e noterisë, Haxhiu ka thënë se brenda kësaj jave pritet të anulohet ky proces.
“Siç e përmenda Ministria e Drejtësisë pritet të jetë njëra ndër ministritë që do të ballafaqohet me shumë sfida. Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë na pret ndoshta brenda kësaj jave një vendim për anulimin e procesit të noterisë. Siç e dini që në këtë proces ka humb besimi për faktin se kanë arritur të kalojnë provimin njerëz të cilët kanë pasur lidhje familjare e partiake me pushtetin e kaluar. Qëllimi i jonë është që ky proces të jetë transparent dhe i ligjshëm, dhe kështu kemi vendosur që ta kthejmë në pikën zero”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka shtuar se pas anulimit të këtij procesi do të shkarkohen edhe anëtarët e komisionit, duke theksuar se ka pasur pazare nga ana e pushtetit të kaluar sa i përket procesit të noterisë.
“Me letra janë krejt në rregull, por edhe përkundër këtyre letrave që unë i kam në disponim fshihet një pazar që e kanë bërë për të mundësuar që njerëzit që kanë lidhje qoftë familjare qoftë partiake të kalojnë provimin e noterisë. Unë e di që brenda këtij provimi kanë kaluar edhe njerëz meritor që janë meritor. Brenda kësaj jave do të merret vendimi për anulim. Si veprim së pari do të jetë anulimi i këtij procesi dhe pastaj shkarkimi i anëtareve që kanë qenë pjesë e komisionit”, tha Haxhiu.
Ministrja Haxhiu tutje shtoi se një prej shqetësimeve që kanë pasur edhe personat që kanë kaluar këtë provim ka qenë shpenzimi, pra ata kanë paguar një vlere prej 100 euro për ta paraqitur këtë provim.
Haxhiu shtoi se kjo çështje do të zgjidhjet sapo të shpallet konkursi i ri.
“Pas shpalljes së konkursit ata do të mund të lirohen nga pagesa, jo të gjithë por vetëm ata që e kanë kaluar provimin me shkrim dhe me gojë”, tha ajo.
Haxhiu theksoi se ata të cilët e kanë kaluar me meritë provimin nuk u intereson që të dalin nga një proces i komprometuar i noterisë./Telegrafi/