Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, dje ka qenë e ftuar në emisionin Context të ATV-së, në të cilin emision ka folur për shumë çështje politike, por edhe të drejtësisë. Në një moment, “Zonja e Hekurt e drejtësisë”, siç dikur ish-moderatori Rron Gjinovci e kishte cilësuar Haxhiun, e ka komentuar edhe rastin e arrestimit të Ridvan Muharremit, pronarit të restorantit “Bukë e Zemër”.
Krejt mënyrën e arrestimit, zonja Haxhiu e ka cilësuar si “nëpër filma”. Madje, ajo ka vlerësuar se Prokuroria Speciale duhet të hetojë çdo person, por nuk e fshehu mërin për mënyrën e arrestimit, të cilën e emërtoi si “film të lodhët”.
“Vetë fakti çfarë kanë bërë me rastin e rezervave shtetërore, për shembull, e keni parë Gjykata e Apelit ka thënë që nuk ka justifikim për t’i mbajtur në paraburgim për faktin se nuk konsiderohet që personat e dyshuar kanë kryer vepër penale. E ata shkun si nëpër filma ashtu të bëjnë skena, kishe po nxjerrin dosje, po sigurisht që kur vjen në shpi te unë, kur vjen në shpi te ti, në shpi të tjerëve, diçka ke me marrë dosje ose kur shkon në institucion, na kemi laptopa, kemi telefona, t’i ke mi marrë, ke mi sekuestru, konfisku e të tjera. Tash kur duken ato në popull, konsiderohet që megjithatë paskan gjetur diçka. Filma të lodhët të tyne, ka filma shumë të mirë, po mirëpo këto filma të lodht të Prokurorisë Speciale dhe ata le të vazhdojnë hetimet, domethënë ata janë të lirë komplet t’i bëjnë punët që i kanë nisur ndaj meje, ndaj Rozetës, ndaj krejt Qeverisë, ndaj Kryeministrit Kurti, hiç problem s’e kemi.” – u shpreh Haxhiu.
Pasi kreu “këshillat” për Prokurorinë Speciale se si të hetojë rastet e të kryejë arrestimet, Haxhiu u shpreh se ka një “hakmarrje” nga ana e prokurorisë kundrejt Qeverisë së Kosovës, e cila udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
“Nuk mundemi me mohu edhe me heshtë faktin që kemi një hakmarrje të Prokurorisë, kryesisht prokuroria speciale ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne e kemi dëgjuar nga vetë zyrtarët brenda Prokurorisë, që edhe vendimet të cilat nuk kanë asnjë ndikim as financiar e as nuk janë vendime përmbajtjesore, shkojnë edhe kontrollohen nga Prokuroria Speciale, në kuptimin që ‘mos po i nxojmë diku’ që kanë shkelur diku një ligj.” – theksoi zonja Haxhiu.
Në vazhdimin e fjalës së saj, Haxhiu konkludoi se e gjithë kjo çfarë po ngjan nuk është drejtësisë. Madje, ajo dha edhe një “arsye”.
“Çështja është që kjo nuk është drejtësi, duke qenë që miliona lëndë, si me thënë ë lëndë që përmbajnë keqpërdorim të milionave i ka dërgu infrastruktura, ekonomia, industria, drejtësia, financat, arsimi edhe nuk kanë fillu asgjë hetime. Pra, nëse Prokuroria do zgjedhtë që të merret edhe me ato, ke politikanë të cilët dyshohen për miliona euro, të cilët janë të lirë dhe akuzojnë Qeverinë për krim e korrupsion.” – vazhdoi shefja e Ministrisë së Drejtësisë.
Në këtë intervistë zonja Haxhiu foli edhe për Nagip Krasniqin, drejtor i KEK-ut, i dyshuar për korrupsion dhe për projektkodin civil.