Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se 31 mjetet e konfiskuara në rastin “Banjska”, i janë dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës për nevojat që i kanë.
Haxhiu tha se së fundi kanë nisur ta zbatojnë edhe urdhrin e gjykatës që ndërlidhet me menaxhimin e pasurisë e cila është e sekuestruar, e që bëhet fjalë për vilën e terroristit Milan Radoiçiq, restorantin e tij dhe banesën në emër të bashkëshortes së tij.
“Këto do të monitorohen nga Policia e Kosovës nga afër dhe nga kamerat e sigurisë. Si ministri e Drejtësisë kemi përgjegjësi për t’i menaxhuar këto pasuri dhe do ta kryejmë punën ashtu sic e kemi të përcaktuar me legjislacionin në fuqi”, tha Haxhiu.
Për sa i përket mundësisë që vila e Radoiçiqit t’i jepet në shfrytëzim policisë, Haxhiu tha se kjo do të bëhet porsa të ketë vendim final nga ana e gjykatës.
“Sa i përket mjeteve transportuese, të gjitha i janë dhënë Policisë së Kosovës, por sa i përket pasurive të sekuestruara, në këtë fazë legjislacioni nuk na lejon që t’i japim në shfrytëzim për policinë, por sapo ta kemi vendimin përfundimtar nga gjykata, sigurisht se do t’i jepen në shfrytëzim Policisë së Kosovës”, tha ajo.