1.7 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Hashim Thaçi e uron Edi Ramën nga Haga: Vëlla Edi, mos harro të kujdesesh edhe për Kosovën!

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Haga ku po mbahet në paraburgim, i ka shkruar një letër urimi Edi Ramës për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Shqipëri.

Letrën e urimit të Thaçit e ka bërë publike vetë Edi Rama përmes një postimi në Facebook, në të cilën Thaçi i drejtohet Ramës me “Vëlla Edi”.

“Dhomat e ngushta e muret e qelisë së Hagës nuk e përmbajnë dot shpërthimin e entuziazmit tim për fitoren tënde. Entuziazëm ky që vështirë gjen vend në zymtësinë e vetmisë së ditëve të burgut. Por, si rrallë herë kohëve të fundit, sot jam i lumtur dhe i qetë për fitoren tënde, vëllau im”, ka shkruar Thaçi.

Më tej në letrën e tij Thaçi ka thënë se “Sot Shqipëria fitoi! Sot shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vlla, dhe mos harro që t’kujdesesh edhe për Kosovën. Kur ti kujdesesh për Kosovën, ti kujdesesh edhe për shqiptarët”.

Letra e plotë e Thaçit e publikuar nga Rama:

“Vëlla Edi,

Vëlla Edi,

Dhomat e ngushta e muret e qelisë së Hagës nuk e përmbajnë dot shpërthimin e entuziazmit tim për fitoren tënde. Entuziazëm ky që vështirë gjen vend në zymtësinë e vetmisë së ditëve të burgut. Por, si rrallë herë kohëve të fundit, sot jam i lumtur dhe i qetë për fitoren tënde, vëllau im.

Sot, dielli ngrohte zemrën e Shqiptarit brenda meje.

Sot, për Shqipërinë kam mall, dashuri, e nostalgji. Sot, si jo-rrallë herë kohëve të fundit, u fundosa i buzëqeshur në dallgët e kujtimeve të lavdishme të ditëve të luftës. U kujtova për ata që luftuan me mua, ata që ranë që lirinë ta sjellin mes nesh, dhe krejt atë çka idealizuam aq shumë për Shqipërinë, sa u betuam të jepnim edhe jetën për çlirimin dhe bashkimin e trojeve Shqiptare. Ky ishte betimi im dhe i shokëve të mi si ushtarë të UÇK-së, betim e luftë që sot më mban të qëndroj kokë-lartë e me ndërgjegje qetësisht të pastër përballë të panjohurës.

Me gjithë ndërgjegjen e pastër e luftën e dinjitetshme për t’u bashkuar me Shqipërinë, mu kujtua se vetëm atëherë kur Kosova u çlirua, ne e kuptuam se bashkimi ishte larg dhe i pamundshëm. Shqipëria e poezive dhe librave ishte dëshirë e ideal, e jo pasqyrë e realitetit të kohës.  Unë edhe kam luftuar për kët’ ideal me Kosovën brenda Shqipërisë. Kur mundësitë u kufizuan, unë luftova për Kosovën shtet – krenarinë e jetës time.

Jam munduar shumë për Kosovën, por edhe kam gabuar – dikur me entuziazmin e idealistit, e më vonë me arrogancën e pushtetarit.

Ama, vëllau im Edi, kurrë s’kam gabuar me raportin të cilin kemi krijuar bashkë. Ti je vëlla i ditëve të vështira, e shok i ditëve të bukura. Je Kryeministri i Shqipërisë që idealizova, dhe vëllau shqiptar për të cilin me entuziazëm luftova. Sot, Shqipëria që ti aq shumë punove ta ndërtosh, është Shqipëria për të cilën dikur u betova të luftoj. Është Shqipëria e poezive të Naimit – Shqipëria me malet e bukura e lisat e gjatë që sot, në tavanin e qelisë së burgut, më vizatohen e më rrin n’mend dit’ e natë.

Pra, vëllau im Edi, ti që bëre Shqipërinë të cilën e idealizova si i ri e u betova si ushtar, po të them i bindur se fitoren tënde e gëzojnë shqiptarët. Me ta, u gëzova edhe unë pa masë.

Prandaj, me librat që më shoqërojnë në vetminë e këtyre ditëve ku koha refuzon të nxitojë, unë të përqafoj dhe uroj vëllazërisht nga larg për shkak të pamundësisë për të festuar bashkë. Është e shëmtuar që nuk mund të jem aty, por përtej afshit revolucionar të kujtimeve të mia si ushtar dhe pragmatizmit prej politikani që m’godet herë-pas-here në formë kujtimesh, sot nuk të uroj si miku me të cilin ndave copa të rrugëtimit politik, por si vëllaut tim nga gjaku.

Me shpresën që do të mund të takohemi përsëri duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën, po të uroj të vazhdosh të japësh gjithçka nga shpirti yt për Shqipërinë. Kjo sepse edhe kur në ditët ku drita e diellit nuk depërton në muret e mbyllura të qelisë, dielli ngroh zemrën time vetëm at’herë kur Shqipëria dhe Kosova janë mirë.

Sot Shqipëria fitoi! Sot shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vlla, dhe mos harro që t’kujdesesh edhe për Kosovën. Kur ti kujdesesh për Kosovën, ti kujdesesh edhe për shqiptarët.

Me dashuri,

Vëllau yt,

Hashimi”

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img