1.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Hasani: Serbët duan të dalin nga dialogu me autonomi territoriale

Ridefinimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që pritet të dalë si rezultat i përfundimit të dialogut në Bruksel, nuk do të kalojë pa kompromise nga të dyja palët, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare.

Ai pret përplasje të palëve gjatë fazës së fundit të dialogut në Bruksel, ndërkohë që sipas tij, pala serbe është treguar deri më tash më kohezive se sa pala e Kosovës, tek e cila vazhdojnë polemikat se kush duhet ta drejtojë ekipin në bisedime.

REL: Profesor Hasani. Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po hyn në fazën finale, ndërkohë që të dyja palët kanë thënë se nuk do të jetë e lehtë. Çfarë mund të sjell kjo fazë, pse palët paralajmërojnë kompromise të vështira?

Enver Hasani: Po paralajmërojnë, sepse çdo proces dialogu që ka për qëllim zgjidhjen e problemeve nga e kaluara, që kanë rrënjë të thella historike, siç është raporti shqiptaro-serb, përkatësisht Kosovë – Serbi, nënkupton ridefinim të atyre raporteve dhe për pasojë, ajo nuk mund të ndodhë pa kompromise reciproke në planin ekonomik, në planin politik dhe në planin territorial.

REL: Çfarë mund të sjellë kjo fazë?

Enver Hasani: Kjo fazë sjellë, në radhë të parë, përafrimin e të dy vendeve kah integrimet evropiane, përkatësisht euroatlantike, sepse edhe Serbia, sado që sot ka një rezervë edhe rruga serbe nuk mund të jetë rrugë tjetër përveç rrugë evropiane, përkatësisht rrugë e integrimeve, ne aspektin e sigurisë, nën ombrellën e sigurisë atlantike.

REL: A prisni përplasje gjatë këtij procesi?

Enver Hasani: Unë pres përplasje dhe vështirësi të jashtëzakonshme, për shkak se pala kosovare, për dallim prej asaj serbe – edhe pse edhe aty po shihet që do të ketë probleme – nuk është kohezive. Do të thotë, në suksesin e çdo dialogu, një ndër përbërësit e atij suksesi janë edhe koheziviteti socio-politik i dialoguesve. Sa më shumë që të ketë kohezivitet brenda për brenda trupës që bën dialog, aq më shumë ka sukses. Aleksandar Vuçiqi (presidenti i Serbisë) dhe shoqëria serbe, kam përshtypjen se është më e përgatitur në këtë drejtim, sepse ka pasur një hapje, një transparencë ndaj publikut atje, për sa i përket çështjeve që lidhen me Kosovën dhe është aluduar në kompromiset që mund t’i bëhen palës kosovare.

Në anën tjetër, këndej nga ne (në Kosovë) nuk ka arritur të bëhet një ndarje në mes qeverisjes me vendin nga ana e institucioneve të Kosovës dhe lidershipit institucional, prej anës që ka të bëjë me raportet tona me Serbinë. Këto dy çështje duhet të jenë të ndara. Por, nuk janë ndarë dhe me “letrën e Serbisë”, përkatësisht me raportin ndaj Serbisë dhe ndaj fqinjëve – siç ka qenë çështja e demarkacionit (me Malin e Zi ose siç ka qenë çështja e raportit ndaj Marrëveshjeve të Brukselit, në raport me Serbinë – kanë rënë dhe janë ngritur qeveritë. Kjo është gabim, sepse këto janë dy çështje, të cilat po nuk u shkëputën, kjo e prishë kohezivitetin dhe për pasojë, e bën të vështirë arritjen e marrëveshjes.

REL: E përmendët çështjen e kompromiseve. Kur flitet për palën nga Kosova, a nënkupton ky kompromis Asociacionin e komunave me shumicë serbe?

Enver Hasani: Unë besoj që po. Do të thotë, për Asociacionin e komunave (me shumicë serbe) ka edhe vendim të Gjykatës Kushtetuese (të Kosovës), por ka edhe marrëveshje ndërkombëtare, që është marrëveshja e Brukselit – jo kjo e fundit, sepse kjo ka qenë marrëveshje teknike administrative – që thitë se Asociacioni duhet të formohet. Mund të formohet vetëm në qoftë se ka një natyrë tjetër prej Asociacionit që nuk ka ingerenca nga e drejta Publike, që i themi ne.

Do të thotë, aty është problemi dhe aty është çelësi. Formimi i Asociacionit, në formatin që e mendojnë serbët, është diametralisht i kundërt me atë që ne e mendojmë dhe e shpresojmë. Kështu që, në këtë drejtim, ajo është një çështje jashtëzakonisht serioze.

REL: A është kjo një lloj autonomie për serbët?

Enver Hasani: Ajo çka kërkojnë serbët me Asociacion është, si të thuash, të i krijosh një shtrat politiko – territorial planit të Ahtisarit sa i përket të drejtave të komuniteteve. Do të thotë, Plani i Ahtisarit i ka pasur të gjitha, vetëm jo këtë që e thotë se Asociacioni është shtrati territorial. Të drejtat që janë sot në kapitullin e tretë të Kushtetutës, për ato të drejta po përpiqen që tu krijojnë në shtrat territorial, brenda të cilit ai Asociacioni, ato ingerenca nga e drejta publike, do t’i realizonte.

REL: Është thënë se dialogu duhet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të obligueshme për të dyja shtetet. Çfarë implikime mund të sjell një marrëveshje e tillë?

Enver Hasani: E para marrëveshje ligjërisht e obligueshme nuk mund të bëhet pa pasur garanci procedurale të implementimit të saj, do të thotë, pa pasur Evropa, SHBA, dhe aktorët tjerë ngjashëm. Ngjashëm siç ka qenë Grupi i Kontaktit, mbase në një format tjetër. Sot për sot unë nuk shoh një gatishmëri për një gjë të tillë nga aktorët kryesorë ndërkombëtarë. Me sa unë po e shoh ata i kanë lënë palëve që palët të propozojnë modalitete. Ky është një defekt, në fillim, serioz.

Ajo marrëveshje, kur thuhet ligjërisht e detyrueshme, nga ajo dalin përgjegjësitë për secilën palë që nuk e zbaton dhe prapë ajo vjen deri tek garantuesit e saj. Po që se bëhen këto elemente bazike të procedurës, pastaj, substanca është një çështje e ndarë dhe për të cilën pala kosovare duhet qysh tash t’ia definojë vetvetes mandatin se deri kur mund të shkohet sa i përket substancës. Sa i përket procedurës për sukses të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, kërkohet që garantuesit të jenë të fortë.

REL: Bashkimi Evropian ka thënë që do të jetë lehtësues i procesit, por as nuk i importon marrëveshjet dhe as nuk i garanton. Kush mund të garantojë një marrëveshje të tillë?

Enver Hasani: Unë deri sot, gjykuar jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe në historinë e Evropës përgjatë shekullit 20, të gjitha problemet kryesore të Evropës janë kryer me ndërhyrjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë nuk shoh dhe e kam problem të shoh një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, ku ka vetëm lehtësues dhe jo garantues të saj. Cila është leva e ndikimit për palët, si serbët ashtu edhe shqiptarët, për Evropën, në qoftë se ajo e ka statusin e lehtësues? Asnjë. Nuk ka levë ndikimi.

E dyta, kur thuhet ligjërisht e detyrueshme, nuk mund të jetë ligjërisht e detyrueshme pa pasur garantues. Këtu ka një kontraditë në formë dhe përmbajtje, që nuk shkojnë. Prandaj, unë nuk shoh rrugë tjetër, përveç një veprimi të koncertuar nga të dy anët e Atlantikut, mes SHBA-së dhe evropianëve, si mënyrë të zgjidhjes së çështjes të Ballkanit Perëndimor. Nuk është çështja vetëm e Kosovës. Kosova është një nga problemet më serioze – marrëdhëniet Serbi – Kosovë – por, në përgjithësi edhe çështja e Ballkanit Perëndimor, sepse Ballkani Perëndimor ka komponentë të fuqishme të sigurisë, e cila dominon komponentin e butë e që është sundimi i ligjit, demokracia dhe respekti për të drejtat e njeriut dhe minoriteteve.

Këto janë nën hije të ombrellës së sigurisë, për shkak se proceset që zhvillohen gjetiu, ku janë të përfshira aleanca e NATOS, në rend të parë SHBA-të dhe aleatë tjerë të Evropës, kanë domosdo efekte të drejtpërdrejta në Ballkan.

REL: A mund ta sigurojë Kosova ulësen e saj në Kombet e Bashkuara dhe perspektivën e qartë integruese për në BE përmes marrëveshjes finale me Serbinë?

Enver Hasani: Tash, çështja është që, nëse do të arrihet një marrëveshje, çfarë natyre do të ketë ajo? Ajo marrëveshje mund të parashikojë një dinamikë që në këtë rast, unë besoj që do të jetë një proces çështja e integrimit në Evropë, në OKB dhe kështu me radhë, i Kosovës dhe i Serbisë. Do të jetë një proces ku parashihen afatet dhe lëvrimet politike që duhet t’i bëj palët kundrejt njëra-tjetrës dhe një garantues.

Do të thotë, duhet patjetër që të ekzistojë një këshill zbatues, në mënyrë që ta vërtetojë nëse palët po i përmbahen marrëveshjes. Përndryshe, do të ndodhë sikurse me këto marrëveshjet e Brukselit, që nuk kanë pasur ndonjë efekt substancial në përafrimin e qëndrimeve të palëve.

REL: A prisni që në fund të dialogut, për zbatimin e marrëveshjes eventuale, të dyja vendet të jenë të detyruara të bëjnë ndryshime kushtetuese?

Enver Hasani: Është e pashmangshme që marrëveshja ligjërisht obliguese do t’i detyrojë palët që të marrin si obligim – një ndër obligimet që do të merren në mënyrë reciproke nga palët – janë edhe ndryshimet kushtetuese, si nga pala serbe, ashtu edhe nga pala kosovare. Nga pala serbe, ajo që sot është e saktë, është çështja e klauzolës që ekziston në Kushtetutën (e Serbisë) që e definon Kosovën si pjesë të Serbisë. Do të thotë, ajo patjetër që duhet të ndryshojë. Edhe atje duhet të ndryshojnë dispozitat, sa i përket natyrës së shtetit serb dhe raportit të saj me serbët që jetojnë jashtë kufirit, të cilën ata e kanë atë patronazhin kushtetues sot për sot, por edhe shumë të tjera.

Nga ana e Kosovës, marrëveshja ligjërisht obliguese, sigurisht që do ta përcaktojë sërish definimin e shtetit dhe sovranitetit të Kosovës – pjesa që i referohet përbërjes territoriale. Çështja e kufijve me Serbinë, po ashtu do të jetë pjesë që do të kërkojë ndryshimet kushtetuese. Pastaj, Kapitulli 3 ( i Kushtetutës së Kosovës) do të ndryshojë në përputhje me obligimet që merren me atë marrëveshje ligjërisht obliguese.

Forma e Asociacionit, që është fjalë “çelës”, si dhe integrimi i saj në rendin kushtetues të Kosovës, domosdo që do ridefinimin e Kapitullit 3 të Kushtetutës dhe parimeve të përgjithshme që definojnë natyrën e shtetit. Pse kapitulli 3? Kjo, sepse ky kapitull është i paraparë për të drejtat kolektive e që nuk kanë baza territoriale.

Do të thotë, nuk janë dhënë ato për etnitete brenda për brenda Kosovës apo për komuna brenda për brenda Kosovës ose për bashkësi lokale, por pika e referimit është ruajtja dhe mbrojtja e komuniteteve të Kosovë në tërë territorin e Kosovës, mbi bazën e asaj që sot quhet Kushtetutë, prej nenit të parë deri në të fundit. Kurse tash, kjo mund të jetë ndryshe.

REL: A mund ta defunksinalizojë shtetin e Kosovës kjo?

Enver Hasani: Edhe kështu siç ka qenë, nuk është se e ka bërë funksional Plani i Ahtisaarit. Mos mendoni se ka qenë. Ai vetëm mund ta legjitimojë një gjendje ekzistuese.

REL: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje partive politike dhe gjithë spektrit politik për unitete dhe një platformë për t’iu qasur dialogut. Në anën tjetër, partitë opozitare, por edhe parti brenda koalicionit qeverisës, kanë kundërshtuar që presidenti Thaçi të jetë drejtues i palës së Kosovës në dialog. A është kjo situatë e pafavorshme për Kosovën dhe nëse po, si të tejkalohet?

Enver Hasani: Kjo sigurisht që është një situatë e pafavorshme, sepse mënyra se si veprohet këtu (në Kosovë) muajt e fundit dhe javët e fundit, tregon qartë se pala kosovare ka probleme serioze me kohezionin kundrejt palës serbe. Tejkalimi i kësaj situate mund të bëhet vetëm duke e respektuar Kushtetutën e Kosovës, përkatësisht duke mos e shkelë atë. Është e qartë që flitet për marrëveshje nga Neni 18. 1 i Kushtetutës së Kosovës. Marrëveshjet, sikurse ajo e nenit 18. 1 i Kushtetutës së Kosovës, janë marrëveshje, të cilat janë të ngjashme në të gjitha kushtetutat e Evropës, por edhe në Kushtetutën e SHBA-së.

Ato kërkojnë gjithmonë ratifikim të brendshëm, që është ratifikim kushtetues me një shumicë të kualifikuar, por që nuk mund t’i bëj asnjë organ, përveç organit që është përfaqësues i popullit, Kuvendi. Presidenti apo qeveria mund t’i bëjnë marrëveshjet nga Neni 18. 2, që janë marrëveshje administrative- teknike.

Për, marrëveshjet ligjërisht të detyrueshme, që bien në Nenin 18. 1, duhet gjithsesi të sigurohet platforma e konsensusit përmes Kuvendit, sepse ato marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, siç pretendohet kjo me Serbinë ose siç janë marrëveshjet e paqes, ato përmbajnë domosdo klauzole territoriale, klauzola politike dhe klauzola ekonomike. Këto, gjithmonë kërkojnë shumicë të kualifikuar dhe në shumicën e rasteve kërkojnë edhe ndryshimet kushtetuese. Këto nuk mund t’i bëj asnjë organ tjetër përveç Kuvendit.

Këtu nuk është çështja se kush do t’i prijë dialogut. Këtu kemi të bëjmë me atë se si do të zgjidhet çështja e marrëveshjeve bilaterale me Serbinë.

Të gjithë e dimë që marrëveshja bilaterale me Serbinë nuk mund të bëhet me një hap, por bëhet përmes një marrëveshje të paqes, të ngjashme me atë Dejtonit, që ka qenë shumë më e strukturuar se Rambujea, me të cilën marrëveshje parashihen garanci dhe garantues, dispozita shumë të strukturuara dhe organe zbatuese, të cilat nuk mund t’i kryej asnjë prej organeve ekzistuese sot.

Nuk është kompetencë kushtetuese as e Qeverisë e as e Presidenti, po as edhe ndonjë organi tjetër, tek e tek, për t’i diskutuar çështjet që kanë implikime kushtetuese.

Këtë mund ta bëj vetëm ai organ që e përfaqëson zërin e popullit. E ai gjithmonë, përveç se është ligjvënës, është edhe përfaqësues i vullnetit të popullit.

Vetëm ata (deputetët e Kuvendit) munden që me procedura të brendshme dhe me rregullore të Kuvendit, duke e respektuar Kushtetutën, të arrijnë deri te një vendim ‘ad hock’, me të cilin definohen termat e referimit, kushtet, limitet dhe të gjitha tjerat që shkojnë për dialog me Serbinë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img