0.7 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Hasani: Presidentja e shkeli Kushtetutën, mund të ketë pasoja serioze, por mosdekretimi i Isufajt s’mund të rrëzohet

sh-kryetari i Gjykatës Kushtetuese thotë se instanca përfundimtare për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës nuk mund ta rrëzojë mosdekretimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit nga ana presidentes Vjosa Osmani. Por thotë se “mund të ketë pasoja serioze” për shefen e shtetit pasi sipas tij, ajo “me mosveprim e ka shkelur Kushtetutën” duke e mbajtur “në sirtar” dosjen e Këshillit Prokurorial me propozimin e kandidatit për Kryeprokuror.

Hasani i tha Gazetës Express se Osmani ka të drejtë kur thotë se Këshilli Prokurorial s’mund t’i dërgojë propozim tjetër për Kryeprokuror, ndërsa tha se procedura e përzgjedhjes së Isufajt ka qenë “pa integritet dhe krejtësisht e manipuluar” ndërsa kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale e konsideroi “të padenjë për pozitën e kryprokurorit të shtetit”. Tash, sipas tij, duhet të rihapet konkursi.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare thotë se Osmani është dashur të marrë vendim më herët, pasi “ka pasur të drejtë dhe detyrim kushtetues”. Me mosveprim, Hasani thotë se përveç Kushtetutën, presidentja i ka shkelur edhe “të drejtat e kandidatit tjetër që u refuzua, kandidati-viktimë, i cili, duke dëgjuar Presidenten se duhet pritur verdiktin gjyqësorit të rregullt, ka shkuar gjyqeve dhe ka humbur afatin ligjor”.

Gjykata Kushtetuese së fundmi mori vendim për ankesën e kandidatit Shqipdon Fazliu, i cili kishte kontestuar procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit në gjykatat e rregullta. Kushtetuesja konstatoi se gjykatat tjera kishin vepruar drejt që kishin refuzuar padinë e tij si të pasafatshme, ndërsa kërkesa e tij u trajtua jo në bazë të ligjshmërisë së procesit, por ligjshmërisë së vendimeve të gjykatave paraprake. “Sikur të ishim anëtar të Gjykatës së Strasburgut, ju siguroj që ky kandidat i viktimizuar kësisoj do të fitonte me dinjitet rastin e tij”, thotë Enver Hasani.

Gazeta Express: Çfarë thotë për ju vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankesën e njërit prej kandidateve për Kryeprokuror?

Hasani: Vendimi ka qenë i pritshëm, por kandidati është viktimizuar nga institucionet më të larta të shtetit. Krejt ka nis më deklaratën publike të Presidentes që tha në fillim se duhet pritur vendimet e gjykatave për këtë çështje. Me këtë deklaratë u vu në lajthitje kandidati, të cilit Gjykata Kushtetuese pa pritur i tha që duhej të shtirrte mjetet juridike, një absurd i llojit të vet ky pas pesë precedentëve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese lidhur me raste identike, ose krejt të njëjta. Kur kandidati viktimë shkoi në gjykatë të rregullt, i thanë se ke humbur afatet dhe, për ironi, kur erdhi sërish në Gjykatën Kushtetuese, kjo i tha se mirë e ka pasur gjyqësori i rregullt – ti ke humb afatet dhe për pasojë rasti është i papranueshëm për shqyrtim dhe vendosje meritore për shkak të pengesave procedurale. Sikur të ishim anëtar të Gjykatës së Strasburgut, ju siguroj që ky kandidat i viktimizuar kësisoj do të fitonte me dinjitet rastin e tij. Një ditë ne do bëhemi anëtarë, dhe shumë raste do përfundojnë aty. Kosova duhet të bëhet gati për një buxhet rezervë për dëmet që i kanë shkaktuar organet e saj. Ju e shihni me arbitrazhe ndërkombëtare sa milionat i humbim si shtet, dhe askush nuk përgjigjet për këtë (sic!). Ky rreth vicioz duhet të ndërpritet, sa më herët më mirë.

Gazeta Express: Presidentja tha se Këshilli Prokurorial nuk mund të bëjë propozim sërish për dekretim. Si parashihet kjo çështje?

Hasani: Këtu ka të drejtë Presidentja në tërësi. Duhet të përsëritet procedura. Këshilli nuk ka të drejtë të dërgoj propozimin e njëjtë dhe asnjë propozim tjetër bazuar në procedurën e vjetër, që është konsideruar me të drejtë pa integritet dhe krejtësisht e manipuluar, me kandidat të kontestuar në tërësinë e tyre dhe të padenjë për pozitën e kryeprokurorit të shtetit.

Gazeta Express: A mund ta rrezojë Gjykata Kushtetuese këtë vendim të Presidentes?

Hasani: Jo. Nuk është punë e Gjykatës Kushtetuese rrëzimi i njoftimeve. Aty nuk ka vendim. Ka një njoftim më të cilin Presidentja e republikës njofton Këshillin Prokurorial për mos dekretim. Ky njoftim është dashur të dërgohet nga zyrtarët e Presidencës, jo nga Presidentja. Shefi i Shtetit nuk komunikon direkt me nivelin e tillë. Kjo është e para. E dyta dhe më e rëndësishme është që duhet të ketë vendim formal për dekretim, sepse tagri kushtetues për dekretim dhe shkarkim të kryeprokurorit të shtetit nga neni 84.17 i Kushtetutës ka brenda autorizimin për marrje të vendimit për refuzim të dekretimit kur konsideron se procedurat e propozimit të kandidatëve pranë Këshillit Prokurorial janë përlyer me shkelje ligjore dhe kushtetuese.

Gazeta Express: A mund te ketë pasoja për Presidenten nëse çështja shkon ne Kushtetuese dhe Gjykata vendos kundër vendimit te saj?

Hasani: Po, mund të ketë pasoja serioze. Presidenti i Republikës ka detyrim parësor institucional të kujdeset për zbatim të ligjit e kushtetutës për pjesët e autorizimeve kushtetuese që ka nga neni 84 i Kushtetuës, është diga e parë e mbrojtjes së kushtetutës dhe ligjit në këto kompetenca që ka. Me mbajtje në sirtar të dosjes së Këshillit Prokurorial që përmban propozimin e kandidatit për kryeprokuror të shtetit, Presidentja ka shkel nenin 84.2 të Kushtetuës, sepse ka penguar funksionin kushtetues dhe me autorizime të plota të titullarit të organit shtetëror të akuzës. Kjo shkelja ka ndodhur në vazhdimësi, kurse njoftimi i sotëm nuk ka efekt juridik dhe as elementet e aktit juridik siç përcaktohet me legjislacionin pozitiv të Kosovës. Ju e dini se kur ka qenë rasti i shkarkimit kundërkushtetues i zonjës Valdete Daka, Presidentja ka marrë vendim dhe e ka arsyetuar gjerësisht sikur të ishte gjykatë e shkallës së parë. Këtu është dashur të veproj njëjtë, sepse ka pasur të drejtë dhe detyrim kushtetuese, në ndërkohë që në rastin e parë fare nuk ka mund të bëj një gjë të tillë. Pra, duke përdorur faktet që ka pasur, përfshirë edhe verifikimet që kryejnë organet e inteligjencës së vendit, por edhe aktorët tjerë që kanë bërë hulumtime dhe monitorim të procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit, Presidentja është dashur të veprojë. Me mosveprim ka shkelur Kushtetutën , por edhe të drejtat e kandidatit tjetër që u refuzua, kandidati-viktimë, i cili, duke dëgjuar Presidenten se duhet pritur verdiktin gjyqësorit të rregullt, ka shkuar gjyqeve dhe ka humbur afatin ligjot. Nuk janë kompetente gjykata e rregullta për vlerësim të ligjshmërisë së procedurave të Këshillit Gjyqësor për kryeprokurorin e shtetit, sepse nga ato procedura prodhohet vetëm një propozim, jo vendim përfundimtar që vendos për të drejtën e dikujt. Atë vendim e merr Presidenti i Republikës, i cili nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit të ligjshmërisë.

Gazeta Express: Çka parashihet të ndodhë tash në çështjen e Kryeprokurorit? Cila është zgjidhja?

Hasani: Duhet të rihapet konkursi, kurse përcaktimi i përgjegjësisë eventuale kushtetuese të Presidentes varet nëse rasti dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Sigurisht që ky rast hyn në listën e gabimeve serioze kushtetuese, do të thoja ndër më seriozet deri sot.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img