Site icon PrishtinaPress

Hasani: Haradinaj mund të qëndrojë në zyre të kryeministrit për t’u “flladitur”

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka folur rreth zhvillimeve të mundshme në vend, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të vendit.

Hasani ka thënë se Haradinaj nuk mund të konsiderohet kryeministër në detyrë i vendit, që nga momenti kur ka dhënë dorëheqje.

Sipas Hasanit, Haradinaj do të mund të konsiderohej kryeministër në detyrë nëse ai do të ishte rrëzuar nga posti i tij nga Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet një mocioni mosbesimi.

Hasani ka deklaruar se Haradinaj më nuk mund të marrë asnjë vendim, e madje as të dalë në zyrën e shefit të qeverisë së vendit.

“Ai le të shkon në zyrë, se aty janë zyrat e mira edhe është fllad, por kryeministër në detyre nuk është”, ka thënë Hasani në RTV Dukagjini.

Hasani ka tërhequr paralele mes dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe dorëheqjes së Qasim Qeskës nga posti i kreut të Komunës së Rahovecit.

Haradinaj duhet të shkojë në shtëpi sikur Qeska, ka thënë Hasani.

Gjykata Kushtetuese, nëpërmjet një aktvendimi, pas një kërkese për sqarim që kishte paraqitur presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu pas dorëheqjes së Qeskës, kishte përcaktuar se akti i dorëheqjes konsiderohet përfundim i mandatit .

Hasani ka folur edhe rreth mundësisë që Kadri Veseli, si bartës i listës fituese të koalicionit PAN, të propozojë një mandatar tjetër për kryeministër të vendit.

Sipas Hasanit, Kushtetuta nuk ia jep këtë të drejtë udhëheqësit të Partisë Demorkatike të Kosovës.

Hasani ka theksuar se Veseli mund të propozojë dikë për mandatar, nëse për këtë pajtohen edhe partnerët e koalicionit, Haradinaj (si udhëheqës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës), dhe Fatmir Limaj (si udhëheqës i Nismës Socialdemokrate).

“Pra, ata të tretë janë të barabartë në atë koalicion fitues”, është shprehur ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas Hasanit, nuk mund t’i shpallë zgjedhjet vetë.

Ai ka thënë se presidenti një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm në konsultim me partitë politike parlamentare.

Exit mobile version