Home Lajme Harta që tregon se sa thellë brenda territorit të Kosovës hynë dje...

Harta që tregon se sa thellë brenda territorit të Kosovës hynë dje xhandarmëria serbe

Xhandarmëria serbe është futur në territorin e Kosovës rreth 300 metra vijë ajrore nga pika më e afërt e kufirit, ndërsa nëpër rrugë edhe më gjatë.

Rreth 700 metra nga vija kufitare në drejtim të fshatit Muhovc.

Kështu po vlerësojnë dy profesorët universitar, ish-anëtarë të Komisionit Shtetëror për Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi.

Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi, përmes një postimi në Facebook, kanë thënë se ky veprim i forcave serbe nuk mund të cilësohet si gabim, sepse morfologjia e terrenit është shumë e theksuar dhe tepër lehtë e identifikuar për detektim të vijës kufitare.

Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të reagoj ashpër për futjen e personave të armatosur në thellësi kaq të madhe të territorit tonë.

Ky është postimi i tyre:

Miq të dashur!

Pas publikimit të disa videove në mediat kosovare, dhe pas detektimit të pozicionit gjeografik, mund të vërtetohet distanca e futjes së xhandarmërisë serbe brenda territorit tonë.

Bazuar në analizën e realizuar nga imazhet satelitore dhe krahasimin e tyre me videot dhe foto të bëra në vendin e ngjarjes, mund të konstatohet se xhandarmeria serbe është futur në territorin e Kosovës rreth 300 metra vijë ajrore nga pika më e afërt e kufirit, ndërsa nëpër rrugë edhe më gjatë. Rreth 700 metra nga vija kufitare në drejtim të fshatit Muhovc.

Pozicioni i realizuar nga xhirimet e kamerës së sigurisë së restorantit Oksigjen, janë 4400 metra larg nga pika e vëzhgimit të Policisë së Kosovës e cila është e pozicionuar kohë pas kohë në rrugën Rogoqicë-Karaçevë.

Ky veprim i forcave serbe nuk mund të cilësohet si gabim, sepse morfologjia e terrenit është shumë e theksuar dhe tepër lehtë e identifikuar për detektim të vijës kufitare.

Pra edhe njohësi më i dobët i hartave mund të orientohet në këtë pjesë të territorit, e mos të dyshohet për një trupë profesionale.

Faktet hartografike dhe vizuale janë të sakta, e bazuar në to, Qeveria e Kosovës duhet të reagoj ashpër për futjen e personave të armatosur në thellësi kaq të madhe të territorit tonë, sidomos pa paralajmërim dhe leje paraprake.

Hartat dhe fotot tregojnë faktet nga terreni.

Exit mobile version