Bisedën me komisionerin Johanes Hahn e nisi me temën e liberalizimit të vizave. Por mysafiri nga Brukseli ia kujtoi të enjten pasdite kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj se kjo çështje është përmbyllur në dhjetorin e kaluar kur pati thënë se Kosova nuk do të ketë liberalizim të vizave deri më 2020, e se tash është vetëm fillim viti.
Mirëpo kryeministri i vendit u shpreh më optimist.
“Ne e kemi përmbush obligimin. Besoj se jemi në dinamikë të re, në dinamikë më të mirë”, tha Haradinaj për Klan Kosovën.
Hahn ishte më fort i interesuar që të bisedojë për heqjen e taksës për mallrat serbe e boshnjake. Për këtë punë edhe kishte ardhur në Prishtinë.
E Haradinaj ia kishte kthyer përgjigjen e njëjtë, sikurse kërkesës së amerikanëve.
“Sa më shpejt që të arrihet njohja po”, tha Haradinaj.
Por se a ka ofruar BE garanci për këtë përmes së të dërguarit të tij nuk tregoi.