Site icon PrishtinaPress

Haradinaj ZRrE’së: Kthejuani paratë qytetarëve për rrymën e paguar në Veri

Haradinaj ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit për Energji, të kryesuar nga Arsim Janova, u.d. kryesues i Bordit, me të cilët ka biseduar rreth situatës më të fundit të energjisë elektrike në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga ZRrE-ja, që në afat sa më optimal të gjendet mënyra e kompensimit të qytetarëve për ngarkesën e shtuar tarifore e aplikuar me vite të tëra. Kjo ngarkesë pa të drejtë ishte aplikuar për mbulimin e humbjeve në komunat veriore, thuhet në kumtesën dërguar mediave.

Kryeministri ka kërkuar po ashtu që të bëhet evidentimi dhe klasifikimi i humbjeve teknike. Vlerësohet nga ekspertët se rreth 12 për qind e këtyre humbjeve shkaktohen nga keqpërdorimet e qëllimshme. Kryeministri shprehu vendosmërinë që nga mekanizmat relevant të kërkojë që këto keqpërdorime të minimizohen dhe ndryshimi të shpërndahet tek qytetarët përmes lehtësimeve tarifore.

Ndërsa, përfaqësuesit e ZRrE-së, Haradinajt i thanë se janë përkushtuar për rregullimin e aktiviteteve në fushën e energjisë si dhe përmbushjen e detyrave dhe obligimeve në përputhje me përgjegjësitë që parashihen me Ligjin mbi Rregullatorin e Energjisë.
Exit mobile version