0.7 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Haradinaj: Zgjedhjet aspak të favorshme për Kosovën

Kryeministri Ramush Haradinaj thekson se nuk është praktike që të deklarohet nëse e ka shumicën parlamentare në Kuvend. Duke iu përgjigjur deklaratave të presidentit Hashim Thaçi, nëse qeveria e ka shumicën për ta vazhduar punën, Haradinaj potencon se një gjë e tillë mund të kuptohet vetëm atëherë kur opozita i ka 61 vota për rrëzimin e qeverisë.

Pas deklaratave të Listës Serbe se do të votojë për rrëzimin e qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj nuk është deklaruar saktësisht nëse koalicioni qeverisës e ka shumicën parlamentare në Kuvend. Duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të presidentit Hashim Thaçi, se Haradinaj duhet të deklarohet nëse e ka shumicën për ta vazhduar qeverisjen e tij, kryeministri ka thënë se  një kërkesë e tillë është e pakuptimtë nga ana e presidentit.

“Nuk ekziston kjo praktikë për deklarimin e shumicës ose pakicës. Dihet se si ndodhin këto punë në Parlament. P.sh., nëse i ka 61 vota kundër qeverisë, atëherë kryhet puna. Mirëpo, s`ka çka të flasë askush. Atë ditë kur të ndodhë kjo atëherë dihet, por kështu përpara nuk deklarohen këto. Po flitet shumë për këtë temë, gjithkush nga këndi i tij dhe unë qëndroj pas asaj që iu kam thënë partive politike se kanë me ndodh zgjedhjet një ditë.”

Sipas kryeministrit Haradinaj, në këtë fazë në të cilën ndodhet Kosova, zgjedhjet nuk janë të favorshme aspak. Madje, ai ka thënë se partitë politike është shumë më mirë të orientohen në përfundimin e temave të mëdha sesa të humbin kohë duke kërkuar zgjedhje.
“Është shumë më mirë ta shfrytëzojmë këtë kohë dhe t`i kryejmë disa tema siç janë ushtria, INTERPOL-i, dialogun, liberalizimin, përmirësimi i gjendjes në arsim dhe shëndetësi. Pra, unë mendoj që për opozitën është më mirë me u kthye gara në këto parametra sesa me mbet gara në tema që janë të mëdha në kryeqytete, e që jeta e jonë nuk varet direkt prej atyre”.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që, fillimisht partitë politike të arrijnë marrëveshje për zgjedhje të parakohshme. Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, thotë për Radio Kosovën se nëse nuk arrihet marrëveshje, atëherë do të ngritët mocion mosbesimi, duke kërkuar votat e të gjitha subjekteve parlamentare.

“Ne si LDK kërkojmë fillimisht që të kemi një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme dhe nëse nuk arrijmë një marrëveshje të tillë me partitë opozitare dhe partitë në pozitë, atëherë ne do të insistojmë që të kemi aktivitete kushtetuese që ta rrëzojmë këtë qeveri. E, pastaj se kush e voton pro e kush kundër, ajo do të mbetet në të drejtën e votës së këtyre partive, pjesë e vlerësimit dhe përgjegjësisë së tyre, siç thashë edhe njëherë duke përfshirë të gjitha partitë nga pozita dhe opozita që të rrëzojmë këtë qeveri.

Lista Serbe tashmë e ka bërë publike qëndrimin e saj, pas vendimit të Qeverisë për vendosjen e taksës 10 për qind për produktet që hyjnë nga Serbia, se do ta mbështesë çdo përpjekje për rrëzimin e Qeverisë. Lidhur me këtë presidenti i vendit ka kërkuar që Qeveria të deklarohet nëse e ka shumicën në parlament për ta vazhduar punën. Në të kundërtën vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img