Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shprehur urimet e tij për gjashtëvjetorin e formimit të Ushtrisë së Kosovës.
Haradinaj 14 dhjetorin e 2018-ës e quan moment historik për vendin, duke shtuar se pas gjashtë vjetësh Ushtria ka dëshmuar se është një forcë e përkushtuar dhe profesionale të shërbejë edhe përtej kufijve tonë, e gatshme për të kontribuuar për paqe e siguri kudo në botë, transmeton Klankosova.tv.
“Kosovë, urime 6-vjetorin e Ushtrisë! 14 dhjetori i vitit 2018 ishte një moment historik për vendin – dita kur Kosova krijoi Ushtrinë e saj, e gatshme për t’u rreshtuar në krah të ushtrive të paqes dhe lirisë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, ka shkruar ish-kryeministri në Facebook.
“Sot, gjashtë vjet pas, Ushtria e Kosovës ka dëshmuar se është një forcë e përkushtuar dhe profesionale të shërbejë edhe përtej kufijve tonë, e gatshme për të kontribuuar për paqe e siguri kudo në botë. Objektivi ynë strategjik afatshkurtër mbetet anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional, dhe këtë rrugë do ta ndjekim me përkushtim dhe partneritet të ngushtë me aleatët tanë strategjikë. Në këtë përvjetor po e rikthej në vëmendjen tuaj, një fjalë time nga zemra, ditën kur u formua Ushtria. Mirënjohje e përjetshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për Sekretarin James Mattis!”.