5.2 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Buy now

spot_img

Haradinaj: T’i përvishemi punës për statusin kandidat në BE

Republika e Kosovës ka ende shumë punë për të bërë për zbatimin e legjislacionit në fuqi, në luftën kundër korrupsionit, ekonomisë jo formale dhe reformën zgjedhore.

Kështu u tha sot në Këshillin Ministror për Integrim Evropian ku u mbajt takimi rreth të gjeturave të raportit të progresit nga Bashkimi Evropian për Kosovën.

Kryeministri Ramush Haradinaj theksoi se në këtë raport janë vlerësuar të arriturat dhe ngecjet në fushat e caktuara, por disa angazhime të punës kanë mbetur pa u përfshirë në raport, për këtë duhet një angazhim që të arrijë Kosova statusin e kandidatit në BE.

“Një raport në të cilin janë edhe vlerësimet për të arriturat në vend, por edhe për vërejtjet dhe kritikat ose të gjeturat tjera, të cilat na obligojnë së bashku që të ballafaqohemi me to. Shprehim bindjen tonë se në disa aspekte të punës sonë kanë mbetur të pa përfshira në këtë raport. Megjithatë, është detyra e jona që t’i përvishemi punës, bazuar edhe në të gjeturat e këtij raporti për vendin në mënyrë që të ecim me të gjitha temat para nesh. E kemi biseduar që ambicie e jona është statusi i kandidatit për Kosovën. Pra, nuk mundemi me mbetur në vazhdimësi të kushtëzuar vetëm nga zbatimi i MSA-së”, theksoi Haradinaj.

Ai përsëriti se liberalizimi vizitave duhet të ndodhë sa më parë, pasi që disa vende të fuqishme të BE-së përkrahin Kosovën në këtë rrugë të integrimeve evropiane.

“Ajo që na ka ardhur mirë të gjithëve si Kosovë, dhe që po vazhdon me u pranua edhe nga qeveritë veç e veç, pra pas Qeverisë gjermane, është gjuha në raport me urgjencën për liberalizim të vizave dhe besoj që do të punojmë në këtë drejtim”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se prioritet mbetet integrimi në BE, por është e papranueshme që një numër i konsiderueshëm i rekomandimeve përsëriten nga viti në vit.

Ministrja Hoxha tha se është me rëndësi të identifikohen fushat në të cilat ka ngecje Kosova apo boshllëqe në zbatim.  Sipas saj, ka mos përmbushje të obligimeve dhe përgjegjësive ligjore nga akterë të caktuar për vonesat e shumta në implementimin e projekteve qoftë për arsye politike apo teknike siç është deponia në Fushë Kosovë.

“Pra, le të jetë ky alarmi i fundit për ne, për të dëshmuar përkushtimin tonë real ndaj detyrimeve  tona strategjike ku prioritet mbetet integrimi në BE. Për më tepër sa i përket zbatimit të ERA-s përkundër të arriturave, ne gjithashtu edhe këtu duhet të fokusohemi se çka mund të bëjmë më tepër sidomos të masat që janë në zbatim e sipër. Është e pa pranueshme gjithashtu sa i përket raportit të vendit që një numër i konsiderueshëm i rekomandimeve na përsëriten ndër vite. Dhe kemi ende shumë punë për të bërë te zbatimi i legjislacionit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër ekonomisë jo formale, reforma zgjedhore. Këto janë të gjitha të gjetura, të cilat i kemi evidentuar edhe ne”, tha Hoxha.

Ajo më tej tha se Kosova nuk ka kohë për tolerime të tilla, por duhet një angazhim gjithëpërfshirës në përmbushjen e kërkesave brenda afateve.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img