Site icon PrishtinaPress

Haradinaj takon sindikalistët e Shëndetësisë: Ikja e mjekëve ndalet me përmirësim të kushteve dhe rritje të pagave

Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim kryetaren e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Tevide Imeri.

Në këtë takim, i pari i AAK-së ka treguar se si mund të ndalet ikja e mjekëve.

Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se ky fenomen ndalet vetëm me përmirësim e kushteve dhe rritjen e pagave.

Përmirësimi i kushteve të punës dhe rritja substanciale e pagave për mjekët dhe personelin shëndetësor është domosdoshmëri për të ndalur ikjen e profesionistëve dhe për të siguruar shërbime cilësore shëndetësore. Kosova mund të ecë përpara drejt zhvillimit dhe mirëqenies, vetëm me një shëndetësi të fortë dhe sindikata të pavarura“, është shprehur Haradinaj.

Para mysafirëve ai ka shpalosur detaje të programit të tij nga kjo fushë.

Në takim me kryetaren e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, znj. Tevide Imeri dhe anëtarët e kryesisë, konfirmuam përkushtimin tonë të plotë për transformimin e sistemit shëndetësor në Kosovë. Dialogu social dhe realizimi i Kontratës Kolektive janë hapa themelorë për ndërtimin e një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm dhe të drejtë. Me planin tonë konkret për decentralizimin e sistemit terciar shëndetësor dhe implementimin e sistemit informativ (SISH), do të sigurojmë shërbime më cilësore për qytetarët. Prioritet i yni mbetet krijimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore me buxhet dyvjeçar, që garanton mbulim universal për të gjithë qytetarët e Kosovës“, ka thënë Haradinaj.

Exit mobile version