Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit zyrtar në Mbretërinë e Bashkuar, ka zhvilluar një takim bilateral me Ministrin e Shtetit për Forca të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Mark Lancaster.
Kryeministri Haradinaj e njoftoi ministrin Lancaster për zhvillimet e përgjithshme politike dhe të sigurisë në vend, duke kërkuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe procesin e tranzicionit në Forca të Armatosura të Kosovës.
Duke konsideruar se FSK-ja është forcë e cila i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë, kryeministri Haradinaj në takim me ministrin Lancaster, ka shqyrtuar mundësitë e pjesëmarrjes së Forcës së Sigurisë në operacionet paqeruajtëse në kuadër të trupave ushtarake britanike.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj theksoi synimin e Kosovës që sa më shpejtë të jetë pjesë e Aleancës Veriatlantike dhe mekanizmave tjerë të sigurisë, duke thënë se për këtë është duke u punuar ngushtë me aleatët tanë.
“Marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona do të thellohen edhe më tepër. Ju sigurojë se Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe BE”, tha kryeministri Haradinaj.
Ministri i Shtetit për Forca të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Mark Lancaster, tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdoj të mbështesë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.