Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla thotë se as Kosovës e as Serbisë nuk po u kërkohet të ndryshojnë Kushtetutat.
Megjithatë, sipas Haradinaj-Stubllës, liderët e institucioneve dhe opozitës po thonë se në propozimin franko-gjerman, ofrohet njohje defakto nga Serbia, e që konsiston në ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë.
“Është jetike të sqarohet ditëve në vijim se si pretendohet njohja defakto nga Serbia nëse nuk kërkohet ndryshimi i Kushtetutës së saj (ku Kosova ende figuron ‘pjesë përbërëse e Serbisë’)?!” ka shkruar në facebook ish-diplomatja kosovare.
Ky është postimi i saj i plotë:
Në njërën anë emisarët ndërkombëtar për dialogun po na thonë se nuk po u kërkohet as Kosovës as Serbisë t’i ndryshojnë Kushtetutat (për të evituar pyetjet nëse Kosovës po i kërkohet themelimi i Asociacionit një-etnik me kompetenca ekzekutive)!
Në anën tjetër, liderë institucionalë dhe opozitarë që e kanë parë të njejtin draft të propozimit franko-gjerman, thonë se ky draft ofron njohje defakto nga Serbia, ku pranohet sovraniteti, integriteti territorial, dhe kufijtë.
Është jetike të sqarohet ditëve në vijim se si pretendohet njohja defakto nga Serbia nëse nuk kërkohet ndryshimi i Kushtetutës së saj (ku Kosova ende figuron ‘pjesë përbërëse e Serbisë’)?!
ÇMIMI I ASOCIACIONIT ME KOMPETENCA EKZEKUTIVE NUK ËSHTË KUNDËRVLERË E BARAZVLEFSHME PËR NJOHJE!