Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka bërë të ditur do të kthehen nga misionet që të shërbejnë në ministri më shumë se pesëdhjetë anëtarë të personelit diplomatik dhe konsullor, të cilët kanë përfunduar mandatin e rregullt 4-vjeçar, si dhe ata që për më shumë se tetë vjet nuk janë kthyer asnjëherë për të shërbyer në ministri.
Bazuar në kompetencat ligjore dhe rekomandimet e përcjella nga paneli i brendshëm për shprehje të interesit, Haradinaj – Stublla ka emëruar që të shërbejnë në misionet e Kosovës më shumë se 30 anëtarë të Shërbimit të Jashtëm, zyrtarë të karrierës, të cilëve për më shumë se 11 vjet nuk iu është dhënë mundësia për të shërbyer jashtë vendit.
“Për herë të parë pas 12 vjetësh të funksionimit të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës, në pajtim të plotë me dispozitat përkatëse ligjore, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka realizuar caktimin në detyra në formë të rotacionit të rregullt për personelin diplomatik dhe konsullor, sipas konceptit “Një në Shërbim, Një në Ministri”, thuhet në komunikatë.
Haradinaj – Stublla tha se nga këta profesionistë, me përvojë në fushat përkatëse, që do të ushtrojnë funksionet në çështjet diplomatike dhe konsullore, ka kërkuar të ushtrojnë me ndershmëri dhe korrektësi funksionet dhe detyrat e ngarkuara, në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporë, aktet ndërkombëtare dhe me legjislacionin e Kosovës.
“Ky proces i rëndësishëm për shërbimin e jashtëm, është realizuar në transparencë të plotë, udhëhequr nga parimi i meritës dhe barazisë, bazuar në kualifikimin profesional, përvojën e punës, njohuritë e gjuhëve të huaja dhe certifikimet përkatëse për shërbimet konsullore të secilit kandidat të emëruar. Caktimet në detyra specifike në misionet jashtë vendit, në nivelet e rangut përkatës janë bazuar në nevojat e shërbimit dhe gatishmërinë e çdo të punësuari që të shërbejë në Ministri ose kudo jashtë vendit sipas nevojave të Ministrisë në zbatim te Rregullores për Shërbimin e Jashtëm, neni 3 dhe 4 i shtojcës II”, thuhet në komunikatë.
“Në zbatim të neneve 7 dhe 9 të Rregullores për Shërbimin e Jashtëm, neni 6, paragrafi 1.3 të Rregullores QRK – NR. 04/2014 për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores nr.02/2009 për Shërbimin e Jashtëm, dhe neneve 9 dhe 10 të shtojcës II, të gjithë zyrtarëve në ministri me gradat përkatëse diplomatike apo konsullore iu është dhënë mundësia, të shprehin interesimin për të shërbyer jashtë shtetit në pozitat adekuate, thuhet në një komunikatë për media të MPJD-së”, thuhet në komunikatë.