Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore e organizuar nga OVL e UÇK-së në Pejë për nder të Ditës së Dëshmorëve të Kombit.
Sipas tij, qëllimet e armikut kanë qenë shumë të këqija për Pejën, transmeton Klan Kosova.
“Është nder për mua me fol para bashkëluftëtarëve dhe familjarëve të dëshmorëve në Pejë, besoj e kuptoni se qëllimet e armikut kanë qenë gjithmonë jo të mira për këtë pjesë të Kosovës, pra për Pejën. Në ato qëllime, armiku kishte mbështetjen me krejt arsenalin luftarak dhe kishte interesa të mëdha, mirëpo mobilizimi ynë i atëhershëm me shtabet lokale dhe pozicionet e para luftarake, bashkëpunimi me shtabin emergjent në Pejë dhe gradualisht një konsolodim i yni i UÇK-së bëri që në Pejë të kthehet çdo zonë, pra çdo pjesë e territorit të Komunës së Pejës”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se pamja e parë e Pejës menjëherë pas luftës ka qenë vërtetë e trishtueshme.
“Në momentet kyçe UÇK-ja jo vetëm që ishte e pranishme në këtë zonë duke përfshirë edhe qytetin, por edhe arriti të krijojë edhe momente të çmuara luftarake. Pra në bashkë arritëm me i zhvendos disa raste me pritë ose me pengu depërtimin e armikut”.
“Lufta e UÇK-së e sjelli lirinë dhe i dha përjetësinë shumë njerëzve, i dha përjetësinë të dashurve tanë. Peja ka shumë dëshmorë, martirë por edhe të pagjetur ende, por nga lufta doli edhe e rrënuar krejtësisht. Ju e dini se pamja e parë e Pejës menjëherë pas luftës ka qenë vërtetë e trishtueshme”, është shprehur Haradinaj.
I pari i AAK-së ka thënë se ne mund të jemi plotësisht të sigurt vetëm atëherë kur Kosova është anëtare e NATO-së.
“Sot jemi të gjithë bashkë, në Kosovën e lirë, në Republikën tonë, me Polici, Ushtri, shkolla, me institucione por edhe në aleancë me NATO dhe me Amerikën, një aleancë shumë e çmuar. Sot në Kosovë flitet për shumë tema, ne nuk duhet ta ndalim vetën, është mirë të arrihet marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbinë me njohje, dhe njëkohësisht ta ruajmë Kushtetutën tonë, sistemin tonë dhe institucionet tona”.
“Dokumenti franko-gjerman e që në fakt është amerikan, na duhet neve sepse kemi nevojë me nis procesin për anëtarësim në NATO, sepse sot siguria është gjëja më e rëndësishme në botë. Ne mund të themi se jemi plotësisht të sigurt vetëm atëherë kur jemi anëtare e NATO-së. Është e pamundur ta konfirmojmë se jemi të sigurt pa qenë anëtare të NATO-së. Edhe shtetet më të fuqishme në botë janë anëtare të NATO-së sepse kjo bëhet për mbrojtje të përbashkët”, ka thënë Haradinaj.
Sipas Haradinajt, Asociacioni duhet ti nënshtrohet një shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese dhe të sillet në Kuvendin e Republikës.
“Ne duhet ti themi botës se kemi marrë obligime siç është Asociacioni, por ky i fundit së pari duhet ta kalojmë në Gjykatën Kushtetuese e cila e vlerëson nëse është ose jo kushtetues. Ne i themi se Asociacioni duhet të sillet edhe në Kuvendin e Republikës, pra jo me bë improvizime dhe eksperimente. Pra, ne nuk duhet me i ikë shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese për me pa se a është në përputhje më ligjet tona”, ka shtuar ai.
Haradinaj ka bërë thirrje për bashkimin e forcave politike në lidhje me temat e rëndësishme për vendin, sepse kësisoj rritet mundësia për ecje para.
“Ne nuk guxojmë të jemi të ndarë në procese të rëndësishme për vendin sepse e dobësojmë veten, e zvogëlojmë mundësinë tonë për me ecë përpara. Ne duhet ta kuptojmë se nuk zhbllokohet procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare pa i kryer obligimet tona, d.m.th. Asociacionin. Nëse ne bëhemi bashkë dhe e kalojmë Asociacionin përmes Gjykatës Kushtetuese, atëherë besojë se nuk do të ketë pengesa më rrugës”, ka përfunduar Haradinaj.