Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se takimi mobilizues me të rinjtë e subjektit që drejton për zgjedhjet e 9 shkurtit ishte një dëshmi e qartë e energjisë dhe përkushtimit që ata sjellin për të ardhmen e vendit.
Në një postim në Facebook, ai tha se rinia është forca që e shtyn përpara çdo ndryshim dhe, si gjithmonë, rinia e Aleancës është e përgatitur të jetë shtylla e ndryshimit.
“Pas 9 shkurtit, prioritetet tona janë të qarta: Anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional, pagë mesatare prej 1000 eurosh dhe pagë minimale prej 500 eurosh”.
“Këto janë vendimet që do ta kthejnë Kosovën në një vend ku të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre dhe ku potenciali i tyre i jashtëzakonshëm vihet në shërbim të vendit tonë. Këto nuk janë thjesht fjalë, por angazhime që do të fillojmë t’i zbatojmë që nga ditët e para të qeverisjes sonë”, ka thënë Haradinaj.