Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me pranimin e kërkesës së ShBA-së që Kosova të blejë raketa “Javelin”.
Haradinaj ka thënë se lajmi do të konsiderohej sukses sikur të mos ishte i vonuar me vite.
“Për informimin e opinionit publik, qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat Javelin dhe jo vetëm”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, kjo qeveri, sot nuk mund “të krekoset pse paska bërë një kërkesë për blerje të këtij sistemi anti-tank, por duhet të japë llogari pse është vonuar kaq shumë!”.
“Duhet të japë përgjigje pse nuk ka përmbushur objektivat e dakorduara me planin 10-vjeçar të furnizimit të Ushtrisë së Kosovës me armatim të domosdoshëm, edhe pse i kanë tepruar dhjetëra milionë të parapara për blerje të armatimit dhe mjeteve të tjera logjistike për FSK-në”, ka shkruar kreu i AAK-së.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, me të cilin kanë biseduar për procedurën e miratimit të kërkesës së Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”.