Site icon PrishtinaPress

Haradinaj pyet publikisht Kurtin: Sqaroja publikut se çka fole e çka u dakordove me Lajçakun

Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se shpreson që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta sqarojë opinionin kosovar për darkën e zhvilluar mbrëmë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Haradinaj u shpreh se Kurti t’ia shpjegojë popullit se çka diskutoi me diplomatin sllovak në orët e vona e për çka u dakorduan, ku prezent ishte edhe zv/kryeministri Besnik Bislimi.

“A janë pajtuar për zbatimin e atyre marrëveshjeve që i kundërshtoi deri sa erdhi në pushtet!?”, pyeti ish-ligjvënësi.

Sipas tij, është e padrejtë që opinioni të informohet nga negociatori e jo nga Kurti.

“Marrëveshjet e natës nuk e di nëse sjellin dobi për vendin. Shpresoj që ky mëngjes do jetë reflektues për ty dhe për përgjegjësitë që i ke”.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mbërritur të mërkurën pasdite në Kosovë.

Ai për takimin me Kurtin dhe Bislimin tha se u pajtuan që “të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”.

“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe zv/kryeministrin Besnik Bislimin për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”, shkroi ai mbrëmë në Twitter./Prishtinapress/

Exit mobile version