Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar politikanët në Kosovë se për interesa personale kanë qenë edhe kundër Amerikës.
Haradinaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se taksa është dashur të largohet vetëm nëse na ofrohet kontrata finale.
Ai thotë se është i shqetësuar që në Kosovë po ka mungesë të njerëzve të mirë.
“Po kam frikë se jemi duke robëruar veten. Amerika prej 20 vitesh po na kërkon të luftojmë korrupsionin”.
Haradinaj thotë se për interesa personale askush nuk po dëgjon Amerikën, por sipas tij ndryshe po ndodh kur është në pyetje interesi i shtetit.
“Kur ishte çështja e (shfuqizimit) Gjykatës Speciale unë, zoti Thaçi, zoti Limaj dhe zoti Veseli u bëmë kundër Amerikës e nuk mërziteshim. Dështuam [ta shfuqizojmë Specialen], por megjithatë ishim kundër. Kur është në pyetje me lëshua pe ndaj Serbisë, po bëhemi me Amerikën”.
Ish-kryeministri thotë se Kurti për shumë gjëra tjera nuk është mërzitur për Amerikën, ndërsa sipas tij sot po shqetësohet për qëndrimet e Amerikës.
Haradinaj thotë se Grenell ka ngritur kërkesën për largim të taksës për shkak se vet klasa politike në Kosovë ka dalë me këto qëndrime.