Site icon PrishtinaPress

Haradinaj për draftin e Asociacionit: Shqetësohemi se ka ndërhyrje në rendin kushtetues

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kanë shqetësime për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, megjithatë theksoi se Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë nëse është në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Haradinaj ka thënë se nëse në të njëjtën kohë nuk vjen edhe anëtarësimi në NATO, vendi ynë mund të hyjë në një periudhë të rrezikshme me implementimin e draftit të tillë.

“Ne kemi disa shqetësime lidhur me statusin e asociacionit ashtu siç është prezantuar asociacioni. Përpos preambulës që thirret me rezolutën 1244 dhe komisionit të arbitrazhit që del nga sistemi i drejtësisë, kemi edhe shqetësime tjera, të gjitha këto shqetësime do t’i adresojmë, shpresojë edhe në kuadër të shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese për shkak se partitë politike kualifikohen si palë e kur dokumenti të jetë në shqyrtim në gjykatë, ne do të shkojmë t’i paraqesim këto shqetësime tona… Pas takimit me Lajçakun jam deklaruar se kemi shqetësime në dokument dhe do t’i shqyrtojmë këto shqetësime dhe besoj që dokumenti i tillë është shqetësues për Kosovën dhe nëse në të njëjtën kohë nuk vjen njohja veriore për anëtarësim në NATO, Kosova mund të hyjë në një periudhë të rrezikshme me implementimin e draftit të tillë”, u shpreh Haradianaj për KP.

Kryetari i AAK-së theksoi se garancinë për draft-statutin duhet ta jap Gjykata Kushtetuese për shkak se ka ndërhyrje në rendin kushtetues.

Përndryshe, qëndrimi i Haradinajt vjen pasi kryesia e kësaj partie ditë më parë ka shqyrtuar draftin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është propozuar nga pesëshja evropiane.

Exit mobile version