Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të paskrupullt kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se sigurimi i librave nga prindërit do të jetë një “luftë e vërtetë”.
Pas takimit që ka mbajtur me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, Haradinaj u shpreh se jo gjithmonë ka pasur takime të lehta e të mira me të.
“Takimet me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit nuk kanë qenë gjithmonë të lehta e të mira. Kujtoj takime që jemi përplasur në zyrën e Qeverisë, mirëpo edhe pas atyre përplasjeve e kemi respektuar njëri-tjetrin në përputhje me misionin qe kemi. Si rezultat i presionit të tyre direkt sot i gëzojmë disa të arritura. U fol për stazhin e mësimdhënësve në periudhën 91’-99’. Poashtu edhe tema të tjera”, tha ai.
Kreu i AAK-së, shtoi se ekziston mundësia që prindërit të mos i blejnë librat për shkak të vështirësive financiare dhe se ka komuna në vend që nuk kanë librari.
“Nuk e kuptoj pafytyrësinë e Kurtit e të ministres, të paktën një kërkimfalje Kosovës. Kosova i paguan ata që diku në pranverë ta kryejnë çështjen e teksteve në vjeshtë, ndërsa ata njerëz të paskrupullt e pa asnjë keqardhje dalin dhe i tallin të gjithë. I bëj thirrej Kurtit e kabinetit te tij që të mos e tallë Kosovën, një kërkimfalje duhet të ndodhë me këtë gjendje të krijuar. Nëse nuk duan ta sanksionojnë vetën, të paktën t’i shërojnë zemrat e atyre që i kanë lënduar, me një kërkimfalje”, deklaroi Haradianaj.
Kreu i AAK-së po ashtu shtoi se dyshimet janë të bazuara që kjo mund ta ketë një prapavijë.
“Është e pabesueshme që Nagavci e Kurti nuk e kanë ditur që do të vijmë në një javë para fillimit të vitit shkollor e nuk i kanë siguruar tekstet. Pra, ata sipas meje kanë shpresuar edhe në një krizë të re në greva, e që po besoj që Kosova mos me u marr më me arrestimet e me korrupsionin që ka mbërri të Kurti e që kuptohet nën udhëheqjen e tij, por me u marr me tema tjera”, deklaroi Haradinaj para mediave në konferencë për media.