Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për dëmtim të raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk besoj kurrë se ka besuar dikush që Kosova ka me qenë kaq larg Uashingtonit dhe Serbia kaq afër. Mendoj se të gjithë njerëzit e vetëdijshëm të këtij vendi e dinë çka do të thotë kjo, kaq pak prani e Kosovës”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se derisa Serbia po lobon fuqishëm në Uashington, ambasadori i Kosovës atje po qëndron i mbyllur brenda dyerve të ambasadës.
“Ashtu siç është mbyllur kryetari i Lesposaviqit Lulzim Hetemi në objektin komunal, që Edi Rama e ka quajtur Oso Kuka, unë mendoj se ne e kemi një Oso Kukë në Uashington dhe ai është Ilir Dugolli, ambasadori i Kosovës. Ai është i mbyllur në ambasadën e vet, ai nuk guxon me livritë prej Albin Kurtit edhe prej qeverisë edhe prej tjerëve nga frika se çka i thonë këta, ai është Oso Kukë njëjtë, ndërsa e ke Serbinë që deri sot i ka paguar katër kompani lobuese, ne një mezi në fund tani dhe ka mobilizuar potencial të jashtëzakonshëm të përafrimit me Amerikën. Kurti duke e parë angazhimin e Serbisë për t’u afruar me Amerikën, çka po bën Kurti? Po bën garë si me u prishë me Amerikën”, tha Haradinaj në Klan Kosova.