Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me kryetarët e Komunave të Kosovës mori pjesë në lansimin e Programit për Zhvillim Rajonal për vitin 2018, të Ministrisë e Zhvillimit Rajonal.
Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës është aktive me projekte, që janë grante për komunat, si projektet me ujërat e zeza dhe në të tilla që sigurojnë një zhvillim rajonal të balancuar.
“Më 26 shkurt 2018 në Londër, mbahet Samiti i vendeve të Ballkanit me BERZH-in. Me këtë rast, kryetarët e Komunave inkurajohen të përgatisin projekte që kanë arsyeshmëri të lartë dhe të cilat përmes Qeverisë, i propozohen BERZH-it në atë Samit” tha Kryeministri Haradinaj.
Në këtë takim, Kryeministri Haradinaj, ka kërkuar nga kryetarët e komunave, mobilizim të Drejtorive të Arsimit që testi PISA këtë vit të dal i suksesshëm. “Nëse në një komunë të caktuar testi del i dobët shumë, është problem. Ju kisha lutur që ta merrni përsipër gjendjen”, tha kryeministri Haradinaj.
Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, tha se është punuar në funksionalizimin e ministrisë, hartimin e programeve dhe planeve për vitin 2018, si dhe për planifikimet e ardhshme, ku në kuadër të planeve të MZHR-së, janë edhe programet zhvillimore. “Programi i zhvillimit rajonal i lansuar sot u dedikohet komunave, përmes të cilave do të përkrahen projektet e investimeve kapitale që ndikojnë në zhvillimin socio-ekonomik të vendit”, tha ministri Demiri.
Në këtë takim, folën edhe zëvendësministri i MAPL-së, Beqir Fejzullahu dhe kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli, njëherësh kryetar i Komunës së Shtimes, ndërsa prezantimin e programit për zhvillim rajonal të balansuar e prezantoi Besim Kamberaj, u.d.i Sekretarit të Përgjithshëm të MZHR-së.