Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë pas vendimit për mbajtjen e tij në Francë, të paktën edhe për një muaj, se Kosova nuk duhet të mbetet peng në proceset të caktuar për shkak të mungesës së tij, ndaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje, përkundër se ai po mbahet në Francë.
“Jemi në telashe në Kosovë. Gjendja ekonomike, sociale, është e rëndë. Kemi probleme me rend dhe ligj. Kjo është veç ngarkesë për Kosovën. Mendoj që Kosova nuk duhet të mbetet peng, as për mua, as për dikën tjetër. “Le të shkojë vendi në zgjedhje”, ka thënë Haradinaj.
“Nëse dikush po do të më mbaj mua peng që të vonohen proceset, unë kërkoj që të mos ndalen këto procese”, tha ai në një intervistë për Klan Kosovën.
Gjykata franceze për herë të dytë vendosi të enjten që të shtyjë vendimin për Haradinajn, i cili po mbahet në ndalim në Francë që nga 4 janari.