Site icon PrishtinaPress

Haradinaj: Nderi dhe lavdia u takon luftëtarëve të lirisë

Në 21-vjetorin e rënies së komandantit Zahir Pajaziti, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, ka vendosur lule tek shtatorja në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj shprehu vlerësimet e larta për kontributin e të rënëve për lirinë e Kosovës. “Në këtë ditë populli i Kosovës dhe shqiptarët kudo që janë, i kujtojmë në mënyra të ndryshme bashkëluftëtarët dhe ata që sakrifikuan jetën për lirinë që gëzojmë ne sot”, tha kryeministri Haradinaj, duke shprehur respektin dhe kujdesin që nderi dhe lavdia e luftëtarëve të lirisë dhe e sakrificës për liri të jetë e përhershme.

Kryeministri i ka vendosur lulet së bashku me pjesëtarin më të ri të familjes Pajaziti, Blinor Pajaziti. Në këtë rast kryeministri Haradinaj ka thënë që këtë praktikë duhet ta bëjnë kulturë në të ardhmen që ceremonitë e inaugurimeve t’i bëjnë të rinjtë, fëmijët e dëshmorëve, fëmijët e familjeve që kanë në themel të lirisë njerëzit e vet.

Ndërsa, sot në ora 17:00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” do të mbahet Akademi Përkujtimore, nën patronatin e Kryeministrit, për të nderuar veprën e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Exit mobile version