Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ka folur lidhur me deklaratat e fundit për ndryshim të kufijve të Kosovës.
Haradinaj ka thënë se Kosova ka kufijtë e vetë dhe se ndarja e Kosovës është interes vetëm i presidentit rus, Vladimir Putin dhe se askush tjetër nuk ka interes në këtë. Haradinaj ka shtuar se këtë ia ka thënë edhe presidentit Thaçi.
“Mendoj se ajo çfarë thotë presidenti ynë është brenda kësaj retorike ndryshe nëse nuk është kështu atëherë kemi problem serioze në Kosovë”, ka thënë Haradinaj, shkruan Indeksonline.
Haradinaj ka ritheksuar se ne kemi kufij dhe se Kosova i ka kufijtë mirë të shënuar në Serbi, pra kufijtë ekzistojnë dhe diskutimi për kufij është gabim.
“Diskutimi për kufij është gabim, është kthim prapa dhe humbje kur diskutohet kështu njësoj kur diskutohet për territorin. 20 vjet investim për siguri dhe stabilitet i NATO-së në Kosovë dhe është gabim të bisedohet për kufij dhe territore”, ka shtuar Haradinaj.
Sipas Haradinaj asesi nuk duhet të diskutohet për një çështje e cila destabilizon gjendjen në Kosovë.
“Nuk ka askush mandat dhe të diskutojë për kufijtë e Kosovës në çfarëdo rrethane. Presidenti ka funksionet e veta për dialog por jo për territore dhe kufij. Është e pamundur që dikush i Kosovës të diskutojë për kufij, pra nuk guxojmë të kthehemi në atë situatë”, ka përfunduar Haradinaj.