Brenda pak ditëve kryeministri i vendit ka lëshuar dy deklarata të ndryshme sa i përket mundësisë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza në zonën Shengen.
Hiç më larg se të mërkurën e kësaj jave, Haradinaj pati deklaruar se deri te liberalizimi i vizave na ndajnë vetëm pak javë.
Pra sipas tij, çështja e liberalizimit të vizave është vetëm çështje javësh.
“Kosova ka shënuar progres në shumë procese të rëndësishme, të nevojshme për integrimin e vendit në familjen evropiane dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj. Është një proces i gjatë për të cilin jemi të përkushtuar si Qeveri, andaj është e rëndësishme që kjo të vlerësohet dhe Kosova duhet ta marrë liberalizimin e vizave. Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe me të drejtë pret që çështja e vizave të jetë çështje javësh ”, tha kryeministri Haradinaj.
Ndërkohë sot duket se deklarata e tij ka ndryshuar. Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se mundësia e liberalizmit të vizave është në fund të këtij viti, raporton Indeksonline.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm pa viza, në fund të vitit pasi siç thotë ai janë përmbushur të gjitha kërkesat që kanë ardhur nga Bashkësia Ndërkombëtare.
Ai këto komente i bëri gjatë Kuvendit zgjedhor të AAK-së në Ferizaj. Kryeministri Haradinaj ka thënë se që nga marrja e mandatit si qeveri kanë bërë që Kosova të ecë përpara.
Ndryshe Kosova së fundi ka arritur që të miratojë edhe demarkacionin me Malin e Zi, një ndër çështjet që lidhej ngushtë me liberalizimin e vizave përderisa mbetet që ende të punohet në vazhdën e arritjes së ndaljes së krimit dhe korrupsionit në vend.
Ndalimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit janë pikat kyçe që sipas të cilave kosovarët mund t’i afrohen mundësisë që të udhëtojnë lirshëm pa viza në zonën Shengen.
Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e pakta që ende nuk ka liberalizim të vizave edhe pse është shtet i pavarur që 10 vite.Një proces i tillë për të arritur deri tek liberalizimi sipas udhëheqësve t vendit është duke vazhduar dita ditës, në mënyrë që Bashkimi Evropian t’i japë dritën jeshile shtetit të Kosovës.