Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kuvendi i Kosovës, duhet të jetë i kyçur direkt në procesin e dialogut.
Haradinaj duke komentuar gatishmërinë e Presidencës për të raportuar për takimin në Bruksel, qoftë në Kuvend apo Qeveri, tha se dialogu është tashmë temë e ndjeshme, pasi që është faza finale e tij dhe se do të duhej të krijohej një komunikim mes institucioneve të vendit dhe ekipit të Kosovës në dialog.
“Dialogu është tema më e ndjeshme tani. Se është dhe faza finale e dialogut. Mirë është me u kriju një protokoll, që është i përhershëm i qëndrueshëm i komunikimit në mes të institucioneve dhe ekipit të Kosovës në dialog. Do ta gjejmë një formulë. Zakonisht presidenti nuk raporton në parlament në raste të zakonshme, nuk parashihet me kushtetutë. Ai vetëm një herë në vit i adresohet parlamentit. Por ndoshta do të ishte mirë me i raportu parlamentit. Sipas bindjes sime me rëndësi shumë është involvimi i parlamentit në proces të dialogut. Aty mendoj se ne komunikojmë me presidencën dhe presidentin qeveria, por është shumë me rëndësi që partitë parlamentare, ato të opozitës dhe komuniteteve ta kenë një instrument komunikimi dhe ta dinë të vërtetën për dialogun. Mendoj që shumë është me rëndësi, parlamenti me qenë direkt i kyçur në proces”, tha Haradinaj në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë.