Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka ripërsëritur edhe një herë se Aleanca e mbështet Propozimin evropian për Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Qëndrimin e tij Haradinaj e prezantoi në mbledhjen e sotme të Kryesisë së AAK-së, ku ndër të tjera tha se kjo marrëveshje është një e arritur e madhe, duke pasur parasysh rrethanat në të cilën ndodhemi si shtet.
“Qëndrimi i AAK në mbështetje të propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është qëndrim pro interesave nacionale e shtetërore. Ky është qëndrimi që ka dalë sot nga mbledhja e kryesisë së AAK-së.
“Në takim theksova se kjo marrëveshje e propozuar është një e arritur e madhe, duke pasur parasysh rrethanat në të cilën ndodhemi si shtet. Rikonfirmuam mbështetjen tonë ndaj arritjes së kësaj marrëveshjeje, të bindur se kjo i mundëson Kosovës hapjen e perspektives integruese euro-atlantike dhe arritjen e njohjeve të reja. Ky qëndrim është tërësisht në interes të vendit dhe pa ndonjë kalkulim elektoral”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Krejt në fund Haradinaj tha se e vlerëson ndihmën e aleatëve tanë, në veçanti të ShBA-së dhe kushdo që e kundërshton dhe tenton ta pengojë i bën dëm të madh vendit.
“AAK vlerëson ndihmën e aleatëve tanë, në veçanti të ShBA-së ndaj arritjes së kësaj marrëveshje. Kushdo që e kundërshton dhe tenton ta pengojë i bën dëm të madh vendit”, përfundoi ai