Site icon PrishtinaPress

Haradinaj – Kurtit, Sveçlës dhe Muratit: Dërgoni fëmijët dhe vëllezërit në veri, mos i ofendoni policët atje

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ishte i ashpër ndaj kryeministrit Kurti dhe ministrit të Brendshëm Sveçla, për siç tha ai, ofendimin që u kanë bërë pjesëtarëve të njësitit FIT, të cilët ditë më parë protestuan para Qeverisë së Kosovës.

Haradinaj tha deklaratat e Kurtit dhe Sveçlës mbi pagat e policëve të këtij njësiti ishin të pavërteta, derisa shtoi se Qeveria e Kosovës ka buxhet për t’i rritur pagat e Policisë së Kosovës.

“Çfarë rrencash janë, thotë e ka rrogën ashtu e ka kështu, trego drejt polici e ka rrogën 560 euro, ai që po shkon me vdekë në veri 560 euro e ka rrogën, e unë që jam deputet që ulem aty e kam nja 2 mijë euro, plus kam edhe asistent. Sa këshilltarë i ka Kurti sot? 50 këshilltarë  i ka sot, sa ministri i ka? Që thoshte se qeveria e madhe po na harxhojnë, sa gjipa i ka Kurti? Ku po i kanë paret për ato dhe s’po ka pare për policinë që është duke vdekë atje, që familja e tyre nuk e din a kthehet, dhe del e rren thotë e ka rrogën kaq” tha Haradinaj.

Haradinaj tutje tha se askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka familjarë në veri të vendit, prandaj me lehtësi i ofendojnë ata që po protestojnë për kushte më të mira të punës.

“Duhet me qenë shumë idiot me ofendu njerin që po e jep jetën për ty atje, tepër idiot duhet me kanë, kjo është si e Muratit që thoshte me pas pagu na mercenarë, hajt paguaj mercenarë. Kënd e ka Albin Kurti të familjes së tij në veri? Cili deputet i Vetëvendosjes e ka ja djalin, ja vëllaun, ja çikën në veri? Këta njerëz janë të pashpirt, këta i qojnë njerëzit me vdekë atje dhe asnjë pikë ndjenje nuk e kanë. Kurti le ta qon vllaun, dikënd të familjes së tij, ta di a e ka përnjëmend”,  tha Haradinaj.

Exit mobile version