Tradicionalisht, Ramush Haradinaj aleat të tij në Tiranë e ka pasur Sali Berishën. Kjo për shkak të popullaritetit në Kosovë të këtij të fundit, e mbase edhe si kundërreagim ndaj raporteve të Hashim Thaçit me socialistët dhe Edi Ramën. Edhe pse këto aleanca tashmë duken të tejkaluara, dhe Rama me Haradinajn kanë krijuar raportet e tyre si shefa të qeverive, ata kohë pas kohë edhe po përplasen ndërmjet vete. Gjuhës së drejtpërdrejtë të Ramës, Haradinaj i është përgjigjur po ashtu direkt duke i thënë “mos na shit mend”.
Kryeministri Edi Rama nuk kursen këshillat e tij për liderët politikë. Natyrisht as qortimet kur e sheh se nuk po shkojnë mirë. Ai tashmë i ka dhënë vetës detyrën e udhëheqësit gjithëkombëtar. Fillimisht i kishte krahasuar liderët e Kosovës me lopët, e pastaj se kishin shpikur temën e Demarkacionit. Për krejt këto rrallë herë dikush nga liderët kosovarë i është përgjigjur Ramës. Ky i fundit nga ana tjetër ka zhvilluar imagjinatën e tij. Propozoi president mbarëkombëtar në Kuvendin e Kosovës, në ditë e Pavarësisë se saj.
Kur Edi Rama erdhi për vizitë në Kosovë për nder të 10-vjetorit të tij, siç e do tradita e tij, u ndalë në studion e Baton Haxhiut, prej ku do të këshillonte, kritikonte, jepte vizionin e tij për Kosovën e politikanët e saj.
Rama komentoi çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se kjo ishte vetëm një ‘shpikje e opozitës’ duke e goditur tërthorazi Ramush Haradinajn. Nga kjo i mbeti hatri kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili në një postim në Facebook, ia tregoi vendin Ramës.
“Urime pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, shkroi Haradinaj të premtën mbrëma në Facebook.
Por, kryeministri i Kosovës u dha kënaqësinë vetëm pak minuta atyre që entuziazmuan se shefi i Qeverisë më në fund po sillej si kryeministër i vendit.
Edi Rama në profilin e tij publikoi një fotografi me Haradinajn në shtëpinë e këtij të fundit, duke lënë të kuptohej se kjo ishte një lojë dhe e vetmja përplasje mes tyre ishte ajo e gotave.
Por, nuk përfundoi gjithçka këtu.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Rama vazhdoi të bëjë deklarata provokuese. Doli në Kuvend në seancën solemne për nder të 10 vjetorit të shtetësisë së Kosovës dhe tha se dy shteteve i duhej një President mbarëkombëtar. Kjo nuk u prit mirë nga një pjesë e skenës politike në Kosovë dhe as nga faktori ndërkombëtar.
E një reagimi e pati edhe vetë Haradinaj.
Me t’u kryer festa, kryeministri Haradinaj, derisa po qëndronte në Mitrovicë, u pyet sërish nga gazetarët për deklaratat e Edi Ramës e të tijat.
“I kam thënë Edi Ramës se mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam. Edi Rama e ndihmon Kosovën vetëm duke e zhvilluar Shqipërinë”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se nuk ka qëllim për të hyrë në debate të panevojshme, “sepse jemi vëllezër”. Por, ai tha se nuk mund të vijnë e të japin leksione në Kosovë dhe secili duhet të kryej punët e veta.
Por, ajo që ndodhi në studion e Baton Haxhiut, nuk ishte i vetmi mesazh që Rama së fundmi i kishte dërguar publikisht liderëve kosovarë.
Në fillim të këtij muaji, duke folur për iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Rama kishte thënë për Thacin, Veselin e Haradinajn se “Krijimi i një problemi të tillë është sikurse lopa kur e mbush kovën e vet, pastaj ia fut shkelm dhe nuk dihet më se çka vjen mbrapa”.
Askush nga liderët nuk e reagoi e as vetë Kryeministri.Por këshilltarët e tij, tregonin se sa shumë iu kishte mbetur hatri.
Këshilltari i kryeministrit, Halil Matoshi, i përmendi Ramës në Shqipëri si kundërpërgjigje të atij ‘ofendimi’.
“S’bân me e derdhë tamlin por as me mbjellë kanabis”, kishte shkruar Matoshi në Facebook.