Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se sesioni pranveror i Kuvendit do të mbahet mend për mosmiratimin e rezolutës për Marrëveshjen e Uashingtonit, emërimin e familjarëve në bordet dhe nga 193 ligje katër nga to janë miratuar.
Haradinaj ka thënë se deputetët e pushtetit u shpërqëndrua me rahatime të familjarëve.
“Nga 193 ligje të parapara me agjendën e qeverisë, vetëm 4 janë miratuar nga Kuvendi me shumicë stabile. Kjo sepse të njëjtit u shpërqendruan me rahatime të familjarëve, duke lënë anash detyrën për të cilën ekskluzivisht janë zgjedhur nga qytetari i Kosovës. Korrupsioni dhe nepotizmi janë kancer i një shoqërie, por kur vidhet shpresa e qytetarit, është edhe më tragjike”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Përfundoi sesioni pranveror i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Partia në pushtet, LVV, i kishte të gjitha mundësitë, që përmes Kuvendit të nxjerr ligje në dobi të qytetarëve, zhvillimit ekonomik të vendit, e shumë çështje të tjera me rëndësi.
Por, ky sesion parlamentar, do të mbahet mend më së shumti për tri gjëra:
1. Mosmiratimin e rezolutës në mbështetje të Marrëveshjes së Uashingtonit, që është edhe akti i parë anti-amerikan në historinë parlamentare të Kosovës.
2. Shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura dhe emërimi në to i familjarëve dhe të afërmve të ministrave dhe deputetëve, si dhe eksponentëve të lidhur me partinë në pushtet.
3. Nga 193 ligje të parapara me agjendën e qeverisë, vetëm 4 janë miratuar nga Kuvendi me shumicë stabile. Kjo sepse të njëjtit u shpërqendruan me rahatime të familjarëve, duke lënë anash detyrën për të cilën ekskluzivisht janë zgjedhur nga qytetari i Kosovës.
Korrupsioni dhe nepotizmi janë kancer i një shoqërie, por kur vidhet shpresa e qytetarit, është edhe më tragjike.