Site icon PrishtinaPress

Haradinaj: I kërkova presidentes të veprojë që Kosovës t’i kthehet besimi i aleatëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ia ka shprehur shqetësimet e tij presidentes Vjosa Osmani për humbjen e besimit të partnerëve ndërkombëtarë dhe sanksioneve ndaj Kosovës.

Pas takimit që ka zhvilluar me presidenten Osmani, Haradinaj ka treguar se temë diskutimi ka qenë situata në veri e se i ka kerkuar asaj që të veprojë brenda kompetencave të saj për t’i kthyer aleatët ne anën e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se biseda ishte e hapur, teksa ka kërkuar edhe një takim të mbyllur, përveç Osmanit, së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e partive opozitare, për të diskutuar për situatën në veri.

“E zhvillova një takim me presidenten e vendit, shkëlqesinë e saj, Vjosa Osmani Sadriu. Para disa ditësh kam dërguar një letër tek të gjithë liderët institucional, te presidentja, kryeministri, kryetari Konjufca dhe dy kolegët e mi të partive opozitare. Kam kërkur takim të përbashkët me dyer të mbyllura që t’i diskutojmë të gjitha ato që po ndodhin në vend. Presidentja ka kërkuar takimin me Aleancën për të diskutuar në lidhje me kërkesën për takim dhe që ju kam përgjigjur sot që është takimi i parë prej që është zgjedhur presidente. Ishte një bisedë e respektueshme, i kemi trajtuar të gjitha shqetësimet që i kemi me vend dhe shpresoj që nga kjo bisedë e sotme të paktën të ndihmohet dalja nga kjo gjendje”, tha ai.

Ai tha se ka kërkuar nga presidentja që të veprojë në përputhje me mandiatin dhe kompetencat që i ka.

“Kam kërkuar që të ndodhë një takim i përbashkët, kam ardhur të diskutoj me presidenten për të këtë takim duke mos e ditur që kryetari i LDK-së dhe PDK-së do ta refuzojnë takimin me presidenten. Biseda ishte e hapur, i shpreha shqetësimet e mija për humbjen e besimit nga partneret tanë, për ndëshkimet që po i merr Kosova, për vështirësitë. I kërkova presidentes që të veprojë në përputhje me mandiatin e vet, me kompetencat që i ka që ta kthejë besimin e aletave tanë. Biseda ka qenë e hapur”.

Exit mobile version