Ramush Haradinaj i ka kërkuar Albin Kurtit që ta dëgjojë Amerikën për shtyrjen e afatit për targa për 10 muaj.
Kreu i Aleancës këtë e ka bërë nëpërmjet një letre që thotë t`ia ketë dërguar shefit të ekzekutivit.
“Ju informoj se ju kam drejtuar me letër kryeministrit Albin Kurti, ku i kam kërkuar që me urgjencë ta zbatojë kërkesën e Amerikës për shtyrjen e afatit për targa prej 10 muaj dhe të ndërpriten të gjitha veprimet deri tek marrëveshja finale që e rrezikojnë sigurinë e vendit, në cilëndo pjesë, pa koordinim në plotni me SHBA”, u shpreh Haradinaj në një konferencë për medie.
Sa i përket kësaj çështje, kryeministri Albin Kurti ka folur para mediave pas mbarimit të Samitit të Berlinit që po mbahet në Gjermani me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndër të tjerash, Kurti ka folur edhe për situatën e krijuar pas vendimit të ri për targat ilegale të lëshuara nga Serbia.
Në përgjigjen e tij, kryeministri ka thënë se vazhdimi i përdorimit të targave ilegale “është mirëmbajtje e modelit të regjimit të Millosheviqit”.
“Kanë kohë të ndjekin atë model deri më 29 nëntor, pastaj do të fillojnë të paguajnë gjoba. Deri më 29 nëntor, për tri javë do të ketë vetëm vërejtje, pra qortime. Pas kësaj date për dy muaj do të ketë gjoba. Unë nuk jam i interesuar që të shqiptohen gjoba, as të konfiskohen automjete por po shohim se ka një terror të ushtruar nga Serbia që po kërcënojnë dhe sulmojnë ata që ndjekin rrugët ligjore në veri”, ka thënë Kurti para mediave.
Haradinaj tutje i kërkoi edhe diçka tjetër Kurtit.
“Po ashtu i kam kërkuar kryeministrit që të vëjë kontakt me këshilltarin nacional për siguri të presidentit Biden, z.Jake Sullivan, për të qartësuar dhe saktësuar veprimet që shtensionojnë situatën aktuale të sigurisë në rajon deri në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke”, tha ai./Prishtinapress/