Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si lajm jashtëzakonisht të mirë njohjen e Kosovës nga Kenia.
Haradinaj tha se ata që “e shkatërruan Kosovën për 20 vjet” nuk po ndalen së “shkatërruari” vendin me njohje të reja dhe riparim marrëdhëniesh, qofshin jashtë politikës, qofshin nga pozicioni i opozitës.
“Kjo njohje e re, falë ish-presidentit Behgjet Pacolli, le të jetë një zile alarmi për ata që kanë veshë: për Kosovën duhet të punohet nga çdo pozicion, marrëdhëniet me miqtë dhe partnerët duhen ruajtur gjithmonë dhe për avancimin e Kosovës duhet të punohet ditë e natë”, shkroi Haradinaj, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, Haradinaj komentoi edhe skandalin e kryeministrit Albin Kurti, i cili u mashtrua nga komedianët rusë se kinse po flet me presidencën e Lituanës, duke thënë se Kurti doli me video e zë kundër njerëzve të saj e kundër administratës së aleatit më të madh të Kosovës.
“Ata që nuk i bënë asnjë të mirë Kosovës, sot dolën edhe një herë qartazi, me video dhe me zë, kundër njerëzve të saj, kundër administratës së aleatit më të madh të Kosovës dhe, si zakonisht, kundër medias dhe operatorëve ekonomikë kosovarë”, shkroi Haradinaj.