Site icon PrishtinaPress

Haradinaj: Holanda mbështetëse e Kosovës në rrugën eurointegruese dhe euroatlantike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Gjatë takimit, Haradinaj e ka njoftuar kryeministrin Rutte, për të arriturat e Kosovës, për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në zhvillimin ekonomik, fuqizimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA dhe përkushtimin për raporte të mira fqinjësore.

“Jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme që Holanda ka dhënë për Kosovën, në të gjitha fushat. Tani jemi të interesuar që bashkëpunimi ynë të thellohet edhe në fushën e zhvillimit ekonomik”, tha Haradinaj, duke kërkuar nga kryeministri Rutte, mbështetjen e tij dhe të shtetit holandez për procesin euroatlantik të Kosovës dhe për anëtarësimin e saj në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Më tej, kryeministri Haradinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke punuar vazhdimisht në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, ka krijuar zona të lira ekonomike në të gjithë vendin, të cilat do t’i hapin mundësi investitorëve potencial vendorë dhe të huaj.

Haradinaj e ka njoftuar homologun holandez edhe për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përmes një marrëveshje ligjërisht obliguese e cila do të jetë kontribuuese e rëndësishme në stabilitetin rajonal dhe më gjerë.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, në takim me kryeministrin Haradinaj ka vënë theksin në marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet dy shteteve. Duke vlerësuar arritjet e Kosovës, ai ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të shtetit holandez për të vazhduar mbështetjen për Kosovën në rrugën e saj eurointegruese dhe euroatlantike.

Exit mobile version