Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka përgëzuar kancelaren gjermane, Angela Merkel për rikonfirmimin e mbështetjes për Ballkanin Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian.
Haradinaj përmes një postimi në Twitter, ka shkruar se Bashkimi Evropian do të jetë më i fortë me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“E përshëndes qëndrimin e kancelares Merkel për konfirmimin e përkrahjes së perspektivës së Ballkanit Perëndimor për zgjerimin e BE-së sot nga qyteti hungarez i Sopron-it. Bashkimi Evropian do të jetë më i fuqishëm dhe me më shumë mirëqenie me afrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Kosova është gati”, ka shkruar në Twitter Haradinaj.
Ndryshe, kancelarja Merkel deklaroi se Evropa do të bashkohet vërtet kur të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.
“Nëse i shikoni gjërat gjeostrategjike dhe gjithashtu shikoni hartën, do të shihni se Evropa do të bashkohet vërtet me vendet e Ballkanit Perëndimor”, u tha Merkel gazetarëve në qytetin hungarez Sopron. /Telegrafi/