Site icon PrishtinaPress

Haradinaj dyshon se aksioni i sotëm i policisë në veri është bërë për fushatë, kërkon sqarim nga Qeveria

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me situatën e sotme në veri të vendit, ku si rezultat i një aksioni kundër kontrabandës u lënduan 6 pjesëtarë të policisë.

Haradinaj përmes një reagimi në Facebook, ka shkruar se askush nuk ka të drejtë të ngre dorë ndaj policit të Kosovës.

Ai ka kërkuar burgosjen e huliganëve dhe banditëve. Kreu i AAK-së më tej ka ngritur dyshime se operacioni i sotëm i policisë është kryer për efekte elektorale nga ana e Qeverisë.

“Ne duam të besojmë që aksionet e sotme, të kenë qenë pjesë e planit të rregullt operativ të policisë në ndjekje të krimit. Nëse është e mundshme duhet të hiqet çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i plotë:

Askush nuk ka të drejtë të ngre dorë ndaj policit të Kosovës. Huliganët dhe banditët duhet të burgosën dhe shteti duhet të jetë i pakompromis ndaj tyre. Secili që sulmon policinë e Kosovës dhe e prish rendin publik, duhet ta marrë dënimin e merituar.
Ne duam të besojmë që aksionet e sotme, të kenë qenë pjesë e planit të rregullt operativ të policisë në ndjekje të krimit. Veç se qeveria e ka për detyrë ta sqarojë edhe opinionin publik edhe veten, për përzgjedhjen e momentit kohor për kryerjen e këtyre operacioneve.
Nëse është e mundshme duhet të hiqet çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale.
Në mbështetje të Policisë së Kosovës.

Exit mobile version