Kryeministri Ramush Haradinaj ka dënuar sulmin ndaj ish-spiunit rus, Sergei Skripal me agjent nervor në Britani të Madhe.
Haradinaj e ka quajtur këtë si një formë të re të terrorizimit duke e vlerësuar si tejet të rrezikshme edhe për Kosovën.
“I shqetësuar me rastin e sulmit me lëndë luftarake nervore që ndodhi në Londër ndaj Sergei Skripal. Kosova dënon çdo veprim të tillë, të rrezikshëm për sigurinë dhe demokracinë në botë. Tendenca për këtë formë të re të terrorizmit është tejet e rrezikshme dhe ne si Kosovë fuqishëm kundërshtojmë praktika të tilla tejet të rrezikshme”, ka shkruar Haradinaj, në rrjetin social Facebook.
Kujtojmë që Skripal bashkë me të bijën e tij janë në gjendje kritike për jetë pas sulmit ndaj tyre me një agjent nervor, që më vonë u zbulua që është i prodhimit rus.
Kjo situatë ka tensionuar marrëdhënien në mes të Britanisë së Madhe dhe Rusisë. Britania ka dëbuar 23 diplomatë rusë, pasi Moska ka refuzuar që të bashkëpunojë në çfarëdo forme. Përderisa, Britania po akuzon Rusinë që qëndron prapa sulmit, Moska refuzon përfshirjen në këtë rast, duke thënë se Britania po e akuzon atë pa fakte dhe hetim të mirëfilltë.