2.3 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Haradinaj: Demarkacioni nuk kalon më 1 shtator

Ka mbetur edhe një javë që Kuvendi i Kosovës ta sjellë në votim Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për Telegrafin ka folur rreth kësaj çështje, si dhe për protestën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe zgjedhjet eventuale në vend.
Haradinaj është shprehur i bindur se çështja e kufirit me Malin e Zi nuk do të kalojë në Kuvend, dhe se shumica e deputetëve do të votojnë kundër.
Kreu i AAK-së po ashtu ka theksuar se mos ratifikimi i kësaj marrëveshje do ta lironte Kosovën nga një problem i madh.

Intervistën e plotë mund ta lexoni më poshtë:
Telegrafi: Si i cilësoni sulmet e fundit, me granatë dore, ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës dhe RTK-së. Kush mendoni se qëndron prapa këtyre sulmeve?
Haradinaj: Veprimet e tilla, pra sulmet me armë në institucione apo në media, organet e rendit – që janë të ngarkuar për rendin dhe ligjin – duhet t’i trajtojnë me kujdesin më të madh dhe t’ju japin qytetarëve të Kosovës të vërtetën. Pa dashur të spekuloj më tutje, këto janë krime, të dënueshme.
Telegrafi: A mund t’i quajmë këto sulme si sinjal se në të ardhmen situata mund të jetë dramatike në Kosovë?
Haradinaj: Nuk guxojmë të kalojmë në situata spekulative. Këto janë krime dhe janë të dënueshme, sepse rrezikojnë jetën e qytetarëve, funksionimin e rendit dhe ligjit. Ndaj, duhet të ndërmerren masat urgjente për t’i zbardhur ato e që kryerësit e këtyre veprave të nxirren para drejtësisë.
Telegrafi: Ju shumë herë keni deklaruar që Marrëveshja e demarkacionit është e gabuar. Çfarë pritni të ndodhë në seancën e 1 shtatorit?
Haradinaj: Se kjo marrëveshje është e gabuar tashmë është sqaruar. Tryeza e 3 gushtit e dha një ndihmë të madhe që të mësohet e vërteta rreth vijës të demarkacionit me Malin e Zi. Mendoj se me të gjitha këto qartësime dhe këtë gjendje, ky version do të bie, pra Kuvendi nuk do ta votojë.
Telegrafi: A mendoni se koalicioni qeverisës i ka votat e mjaftueshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, duke pasë parasysh se disa deputetë të pozitës janë deklaruar se nuk do ta votojnë?
Haradinaj: Nuk mendoj se kjo temë është e një koalicioni ose e një partie; kjo është temë e Kosovës, është temë e rëndësisë më të madhe kombëtare sesa e një Qeverie, e një pushteti ose e një situate të caktuar. Kam bindjen se ka deputetë, të të gjitha partive politike, që kanë kuptuar se ky version është gabim ose kanë dyshime se ky version nuk është i drejtë. Po ashtu, jam i bindur se një numër i madh i deputetëve do të votojnë kundër.
Telegrafi: A do të marrin pjesë, në seancën e 1 shtatorit, deputetët e AAK-së?
Haradinaj: Aleanca, kur është larguar nga Kuvendi, është larguar për shkak të këtyre temave: Asociacionit të Komunave Serbe – versionin e të cilës për fat Gjykata e gjeti në disharmoni me Kushtetutën; dhe versionit të gabuar të demarkacionit, i cili do të bie. Ne do të jemi në Kuvend për këto tema, kurdo që diskutohen. Do të jemi më 1 shtator, së bashku me deputetët tjerë, që me votën “JO” të bie ky version i gabuar e të nis mundësia e zgjidhjes së kësaj çështjeje me Malin e Zi.
Telegrafi: Muaj më parë keni thënë se në rast se ratifikohet demarkacioni, do të organizohen protesta. Një gjë të tillë është duke e bërë Vetëvendosje. Pse nuk i bashkoheni kësaj proteste?
Haradinaj: Kemi thënë që do të mobilizohemi kundër kësaj marrëveshjeje dhe këtë e kemi bërë që nga fillimi i kësaj teme – me të gjitha veprimet që i parasheh e drejta e veprimit politik në vend, duke filluar prej: shkresave, shpjegimeve, konferencave, tryezave, peticionit, protestave, bashkëpunimi me të gjithë ata që janë kundër kësaj marrëveshjeje… Ne kemi protestuar. Nuk i kemi ndalë protestat. Tani përqendrimin e kemi tek vota. sepse kjo temë po vjen për votim në Parlament. Fokusin e kemi aty.
Telegrafi: Në rast se nuk ratifikohet demarkacioni, a do të mund të kemi zgjedhje të reja dhe sa është e përgatitur për këtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës?
Haradinaj: Nuk besoj që mos ratifikimi shkakton zgjedhje. Unë mendoj se mos ratifikimi i kësaj marrëveshje e liron Kosovën nga një problem dhe i hap mundësi zgjidhjes së këtij problemi. Pra, nuk e ndërlidhim me zgjedhje. Sidoqoftë, Aleanca është e gatshme për zgjedhje.
Telegrafi: A ka AAK-ja vija të kuqe për ndonjë parti politike. A ekziston mundësia që në rast të mbajtjes së zgjedhjeve, t’ju shohim si pjesë e Qeverisë?
Haradinaj: Ne po punojmë si bosht opozitar, AAK-Nisma; kemi partneritet edhe me figura publike dhe qytetarë të shumtë që t’i fitojmë zgjedhjet. Nëse Aleanca i fiton zgjedhjet, atëherë fton për partneritet partitë politike që janë të gatshme për ndryshimet që duhet të ndodhin në vend. Aleanca po punon për t’i fituar vet zgjedhjet, së bashku me Nismën e me ato forca politike ose qytetarë që synojnë ndryshimin në vend.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img