Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit të sotëm me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, është deklaruar sërish duke thënë se do t’u drejtohet me ftesa individuale për takim të gjithë kryetarëve të partive parlamentare të Kosovës, për të filluar përgatitjet rreth Konferencës së Unitetit për Dialog.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, edhe njëherë ka sqaruar përmbajtjen e takimit me presidentin Thaçi, duke thënë t’ia ketë ia sqaruar qëndrimin e tij dhe të AAK-së “se vetëm unik e të bashkuar në interesin shtetëror, e forcojmë Kosovën përballë Serbisë”.
“Meqë as sot nuk u dakorduam për një material/qëndrim, në vazhdën e iniciativës sime të djeshme, do t’u drejtohem me ftesa individuale për takim të gjithë kryetarëve të partive parlamentare të Kosovës, për të filluar përgatitjet rreth Konferencës së Unitetit për Dialog, prej nga do të dalim me qëndrim unik politik, para se të na bëhet vonë”, ka thënë Haradinaj, transmeton Telegrafi.
Postimi i plotë i Haradinajt:
“Sot Presidentit Thaçi ia sqarova qëndrimin tim dhe të AAK-së se vetëm unik e të bashkuar në interesin shtetëror, e forcojmë Kosovën përballë Serbisë. Poashtu ritheksova bindjen e palëkundur se nëse Kosova prapë bëhet subjekt në biseda rreth territoreve, e jo palë e barabartë siç është sot me taksën 100%, i gjithë epilogu për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë do të jetë i dështuar.
Meqë as sot nuk u dakorduam për një material/qëndrim, në vazhdën e iniciativës sime të djeshme, do t’u drejtohem me ftesa individuale për takim të gjithë kryetarëve të partive parlamentare të Kosovës, për të filluar përgaditjet rreth Konferencës së Unitetit për Dialog, prej nga do të dalim me qëndrim unik politik, para se të na bëhet vonë.
Etapa e protagonizmave individual ka marrë fund. Tani është koha e unitetit e bashkimit rreth Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.