Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se deklarata e Departamentit të Shtetit është siguria më e madhe për Kosovën.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka theksuar se sa ishte kryeministër, kohën dhe energjinë ia ka kushtuar luftimit të zërave konspirativ e të pasaktë, që dikur thoshin se Amerika është për shkëmbim territoresh.
“Deklarata e krerëve të lartë të Administratës amerikane dhe Departamentit të Shtetit se nuk ekziston një plan sekret për shkëmbime territoresh, është siguria më e madhe dhe garancia më e duhur që i nevojitet Kosovës sot për të ecur përpara. Kohën dhe energjinë më të madhe sa isha kryeministër, ia kam kushtuar luftimit të zërave konspirativ e të pasaktë, që dikur thoshin se Amerika është për shkëmbim territoresh, duke synuar gabimisht largimin tonë nga aleati ynë historik, SHBA-të. Ai plan ka pas mundësi të jetë në tavolina tjera, por asnjëherë në tavolinën e udhëhequr nga SHBA-të. Sonte, ndihem i përmbushur dhe i sigurt, që kjo bindje po konfirmohet edhe deklarativisht”, ka thënë Haradinaj.
Hardinaj është shprehur se marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën janë të pathyeshme.
“Marrëdhëniet tona me Amerikën janë të pathyeshme, të pacenueshme, dhe të përhershme. Shtëpia e Bardhë dhe Washingtoni janë tempull i shenjtë i lirisë dhe pavarësisë sonë. Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin e saj. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin tonë”, ka shkruar Haradinaj.