2.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Haradinaj: Buxheti i varfërimit, Aleanca nuk do ta votojë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka treguar se partia e tij AAK, nuk do ta votojë buxhetin.

Ai buxhetin e vitit 2023 e ka quajtur buxhet të varfërimit.

‘’ Me këtë buxhet, do të mbeten mangu një e katërta e investimeve kapitale, ndërsa vet projeksioni i të hyrave, është bërë pa asnjë logjikë financiare. Të hyrat nga tatimi i korporatave apo tatimi në fitim parashihet të shtohet 41%, të hyrat nga tatimi në të ardhura personale parashihet të rritet 24%, ndërsa rritja e pagave realizohet në vlerën 11%. Pra, më shumë taksa për qeverinë, e më pak para për popullin’’, tha Haradinaj.

Postimi i plotë i Ramush Haradinaj:

Buxheti i varfërimit

Për herë të parë në historinë e Kosovës, kemi një buxhet më të vogël në krahasim me vitin paraprak.

Buxheti i paraparë në kufijt e shpenzimeve 3 miliardë e 212 milionë euro, nominalisht 10.8% më i madh sesa ai i vitit 2022, në fakt është për një të katërtën më i vogël. Nëse shumës së paraparë, ia zbresim 20% inflacion (sipas Bankës Botërore) dhe inflacionin prej 4.3% që qeveria e ka paraparë për vitin 2023, atëherë vlera reale e buxhetit bie në 2.5 miliardë, e që është 400 milionë euro më i vogël sesa buxheti i vitit 2022.

Për të qenë më i qartë, qytetarët që marrin paga nga shteti, shërbyes civilë, pensionistë dhe të gjitha kategoritë e tjera, do të jenë për 25% më të varfër krahasuar me 2022, sepse me pagat e tyre do të blejnë 25% më pak mallra të konsumit.

Me këtë buxhet, do të mbeten mangu një e katërta e investimeve kapitale, ndërsa vet projeksioni i të hyrave, është bërë pa asnjë logjikë financiare. Të hyrat nga tatimi i korporatave apo tatimi në fitim parashihet të shtohet 41%, të hyrat nga tatimi në të ardhura personale parashihet të rritet 24%, ndërsa rritja e pagave realizohet në vlerën 11%. Pra, më shumë taksa për qeverinë, e më pak para për popullin.

Qesharake është edhe projeksioni i të hyrave doganore dhe të atyre të akcizës, që parashihen të rriten 3.4%, përkatësisht 4.5%, ndërkohë që rritja e çmimeve të importit parashihet në 8.5%. Duhet të kesh mbaruar katër vjet shkollë fillore, për të kuptuar se qeveria Kurti ka probleme serioze me operacionet e thjeshta matematikore.

Avazi i njëjtë është edhe tek struktura e shpenzimeve. Derisa janë 5800 vende të lira pune, e qeveria nuk po i punëson qytetarët, ata kanë planifikuar vetëm 1400 punësime për vitin 2023 dhe një rritje të fondit të pagave në vlerë 75 milionë. Në këto shifra, ne nuk shohim as rritjen nominale të pagave, pra, po vazhdon varfërimi i qytetarëve.

Dështimi më i tmerrshëm ndonjëherë, i ndonjë qeverie në Kosovë, është pikërisht dështimi i qeverisë Kurti në investimet kapitale.

Shuma e paraparë për investime kapitale, që kap shifrën 810 milionë, është në masë 90% vetëm bartje nga mosrealizimi i investimeve nga viti 2021 (rreth 200 milionë) dhe nga viti 2022 (rreth 500 milionë).

Është një pikëpyetje e madhe se si kjo qeveri e dështimit dhe mashtrimit, po e llogarit rritjen ekonomike të vitit 2023. Derisa vëllimi i investimeve private ka stagnuar, ndërsa investimet publike nuk janë realizuar as 21%, për çfarë rritje ekonomike po flet qeveria?

E vetmja kategori shpenzuese që do të ketë rritje, është kategoria “mallra dhe shërbime”, në masë 22.3%. Qeveria që trumbetonte luftimin e luksit qeveritar, ka ngritur fondin e shpenzimeve qeveritare në 493 milionë euro, që është 194 milionë më i lartë se në vitin 2020. Kjo e bënë qeverinë Kurti zhvatësen më të madhe të buxhetit shtetëror, sa i përket shpenzimeve qeveritare.

Përmes buxhetit të vitit 2023, qeveria Kurti është përkujdesur që të godas edhe komunat. Kjo sepse komunat nuk qeverisen nga ky pushtet, por nga partitë opozitare. Grantet qeveritare për të gjitha komunat, janë shtuar vetëm për 75 milionë, që nuk e mbulojnë as dëmin e inflacionit.

Komunave u është zvogëluar edhe fondi për bashkëfinancim dhe po u shkaktohen edhe shumë probleme në realizimin e projekteve nga të hyrat vetanake në procedurat e pagesave.

Qeveria ka goditur edhe Arsimin, pasi që mësimdhënësit e arsimit parafillor, fillor dhe të mesëm, kosiderohen si të padëgjueshëm nga pushteti. Mësimdhënësit u dënuan nga qeveria me zvogëlim të fondit të pagave, konkretisht me 293 mijë euro më pak sesa në vitin 2022.

Ne vazhdimisht kemi insistuar në miratimin urgjent të Ligjit për Pagat, mes tjerash edhe për shkak të pabarazisë mes të punësuarve të nivelit lokal dhe qendror. Për një të punësuar në nivelin qendror, buxheti ndanë 870 euro bruto pagë mujore, ndërsa për të punësuarin në nivelin lokal në vlerë vetëm 540 euro bruto pagë mujore.

Këto që i përmenda, janë një pjesë e vogël e vërejtjeve që i kemi për projektbuxhetin e vitit 2023 dhe për keqmenaxhimin e buxhetit të vitit 2022. Do të jemi në përcjellje të vazhdueshme dhe me shumë kujdes të problemeve të kësaj natyre dhe do të informojmë qytetarët e vendit në transparencë të plotë, pasi që qeveria aktuale është kampione për mungesë transparence dhe manipulim.

Me qenë se ky projektbuxhet, i tillë çfarë është nuk ka kurëfarë parametrash për të ruajtur stabilitetin ekonomik apo për zhvillim, por paraqet një buxhet të mjerimit dhe varfërimit, dhe i njëjti nuk do të pësojë ndryshime të cilat do të propozohen edhe nga grupi ynë parlamentar, Aleanca nuk do ta votojë./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img