Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Beteja e Llapushnikut, e zhvilluar njëzet e dy vite më parë, prej 8 deri 10 maj, ishte ndër betejat më të lavdishme të luftës çlirimtare.
Sipas Haradinajt, kjo betejë, shënoi një kthesë me rëndësi në zhvillimin e luftës frontale, duke i ndërprerë armikut një prej arterieve kryesore të furnizimit.
“Me përulje e respekt kujtojmë e nderojmë, 47 Dëshmorë dhe 54 Martirë që ranë në altarin e lirisë së Kosovës. Heroizmi i luftëtarëve të lirisë ishte i pashembullt”, ka shkruar ai.
Historik
Në Betejën e Llapushnikut të zhvilluar me 8, 9 dhe 10 maj të vitit 1998 ranë 47 dëshmorë dhe 54 martirë, ndërsa kjo ishte njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së.
Njësitet që i zhvilluan me heroizëm të pashoq luftimet në këtë betejë, ishin formacionet pëllumbi, çeliku dhe lumi.
Lufta që është bërë në Betejën e Grykës së Llapushnikut për të kontrolluar këtë zonë, ka qenë më e rëndësishmja për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku e bënte të pakalueshëm forcat serbe në atë pjesë.
Kjo ngjarje ishte edhe fillimi i krijimit të zonave të lira të kontrolluara nga UÇK edhe në zona tjera të Kosovës si në Malishevë dhe Dukagjin.
Kjo situatë e krijuar pas zënies së Grykës së Llapushnikut, ofroi mundësi shumë më të mira për komunikim, shtrirje, zhvillim, organizim e furnizim për të gjitha njësitet tjera të UÇK-së.
Ishte koha kur masivizimi dhe mobilizimi i UÇK-së, arriti kulmin dhe rriti besimin e popullatës në njësitet e UÇK-së.