Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka theksuar se deklarata e tij e bërë para disa ditëve është kapur për bishti.
Ai në foltoren e Kuvendit tha se plotësisht ka qenë i vetëdijshëm për deklaratën që e ka bërë, duke e përsëritur se të gjithë duhet të kenë kujdes pasi nuk do të lejohet të luhet më me kombin shqiptarë.
Por deputeti Daut Haradinaj tha se asnjëherë nuk ka deklaruar se do ta pastrojë Kosovën etnikisht.
“Asnjë prej qeveritarëve serb nuk i kanë ruajtur monumentet kulturore dhe fetare. Vet i kemi ruajtur ato. Nuk lëshojmë pe më. Përgjigjen e njëjtë qysh e kanë marrë në vitin 1998 – 1999 do ta marrin prapë. E përsëriti edhe një herë e kam thënë me plotë vetëdije atë deklaratë. Por ajo deklaratë është kapur për bishti dhe kujt i ka konvenuar ajo le të mbajë përgjegjësi. Ata që sot krekosen për serbët e Kosovës, le të na tregojnë se si u bë vrasja e Pandes për t’ua lënë fajin shqiptarëve. Nuk kam thënë se do të ketë spastrim etnik por duhet ata në Beograd të kenë kujdes sepse janë ata që po tentojnë ta spastrojnë Kosovën, e në rast që po duan me luajt me zjarr, puna e mbarë iu koftë”, ka shtuar Haradinaj.
Ndryshe, ditë më parë deputeti Daut Haradinaj ka thënë se nëse ndodh që ish–kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të transferohej në Serbi, atëherë mund të ketë edhe luftë.